Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike, i cili tregon se gjatë muajit qershor 2026 është shënuar rënie në numrin e ndërmarrjeve të reja të regjistruara. Sipas raportit, në qershor janë regjistruar 1.4 për qind më pak ndërmarrje krahasuar me muajin maj 2026.
Rënia është edhe më e theksuar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me një ulje prej 5.1 për qind ndaj qershorit 2025. Të dhënat e ASK-së tregojnë se sektori më aktiv për regjistrimin e bizneseve të reja mbetet tregtia me shumicë dhe pakicë, përfshirë riparimin e automjeteve dhe motoçikletave, me gjithsej 242 ndërmarrje të regjistruara.
Pas tij renditen aktivitetet e akomodimit dhe shërbimeve të ushqimit, ku janë regjistruar 124 ndërmarrje. Sa i përket madhësisë së bizneseve, pjesa dërrmuese e regjistrimeve i takon kategorisë së mikro-ndërmarrjeve, me 1,088 biznese që kanë nga zero deri në nëntë të punësuar. Ndërkohë, vetëm katër ndërmarrje janë regjistruar në kategorinë e bizneseve të vogla, me 10 deri në 49 të punësuar.
Në kategoritë e ndërmarrjeve të mesme dhe të mëdha nuk është regjistruar asnjë biznes i ri gjatë muajit qershor. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
