Publikimi i shumëpritur i “Grand Theft Auto VI” pritet t’i japë një shtysë të madhe shitjeve të PlayStation 5, por Sony po përballet njëkohësisht me rritjen e kostove të prodhimit për shkak të çmimeve të larta të çipave të memories.
Loja e re nga Rockstar Games dhe Take-Two Interactive pritet të publikohet më 19 nëntor dhe në fazën e parë do të jetë e disponueshme vetëm për konsolat, duke e bërë PS5 një nga platformat kryesore për miliona lojtarë. Analistët parashikojnë se shumë blerës të rinj mund të zgjedhin konsolën e Sonyt për të luajtur GTA VI, duke rritur shitjet e pajisjeve dhe të përmbajtjes digjitale.
Megjithatë, loja po vjen në një fazë të vonshme të ciklit jetësor të PlayStation 5, i cili u lançua në vitin 2020. Sipas ekspertëve, GTA VI mund të ngadalësojë rënien e shitjeve këtë vit, por ndikimi do të kishte qenë më i madh nëse publikimi do të ndodhte më herët.
Një tjetër sfidë për Sony është rritja e kërkesës globale për memorie për shkak të investimeve në inteligjencën artificiale, që ka çuar në rritje të çmimeve të komponentëve elektronikë. Kompania ka siguruar furnizimet për vitin aktual financiar, por pret që kostot e memories të mbeten të larta edhe gjatë vitit të ardhshëm.
Kjo situatë mund ta detyrojë Sony-n të kufizojë prodhimin e konsolave ose të pranojë fitime më të ulëta, ndërsa gjenerata e ardhshme e PlayStation mund të vijë me një çmim më të lartë për shkak të presioneve të tregut.
