Nga: Ardona Popova Shpërndaje në: Pas më shumë se 27 vjetësh nga përfundimi i luftës, Kosova ka publikuar listën e parë institucionale të viktimave të dokumentuara. Në të janë përfshirë 12 mijë e 230 persona të vrarë, të zhdukur me dhunë dhe të vdekur si pasojë e luftës deri në qershor të vitit 1999.
Lista mbetet preliminare dhe do të përditësohet me të dhëna të reja, ndërsa familjarët dhe institucionet janë ftuar të kontribuojnë me dokumente e dëshmi shtesë Kosovës i janë dashur gati tri dekada për të dokumentuar viktimat e luftës.
Të mërkurën, kur janë bërë 9,909 ditë nga çlirimi prej Serbisë, Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), ka publikuar listën preliminare të personave të vrarë, personave të zhdukur me dhunë dhe personave të vdekur si pasojë e luftës. Bazuar në të, të vrarë figurojnë 11,407 persona, të vdekur si pasojë e luftës, 242, e të zhdukur me dhunë mbeten edhe 1,578 persona.
Lista preliminare përfshin në total 13,227 të vrarë, të zhdukur me dhunë dhe të vdekurit si pasojë e luftës, prej të cilëve 12,230 deri në qershor 1999, e 997 pas kësaj periudhe. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili mori pjesë në prezantimin e raportit, ka lënë të hapur mundësinë për korrigjime, pasi ka thënë se lista nuk është finale. “Pra, nuk nënkupton se puna është e përfunduar.
Do të thotë se Instituti do të vazhdojë ta përditësojë sa herë që sigurohen dokumente ose dëshmi të reja. Kjo është mënyra e vetme për të ndërtuar një bazë të të dhënave që është institucionale dhe e cila i reziston kohës e u shërben brezave që do të vijnë pas nesh”, ka thënë Kurti.
Edhe Arbëri 16 min. më parë Haxhiu: SHBA-ja dhe BE-ja ta dënojnë gjuhën shoviniste të Vuçiqit e Bërnabiqit Ai u ka bërë thirrje familjeve të viktimave, institucioneve publike, organizatave dhe çdo qytetari që posedon dokumente ose informacione relevante, të bashkëpunojnë me Institutin.
“Çdo informacion i ri do të trajtohet me seriozitet dhe sipas metodologjisë së njëjtë profesionale”, ka thënë Kurti. “Sepse pa dokumentim nuk ka kujtesë. Pa kujtesë nuk ka drejtësi. Dhe pa drejtësi nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme”.
Bazuar në listë, 11,408 persona kanë humbur jetën si rezultat i drejtpërdrejtë i veprimeve të luftës – vrasje, ekzekutime, masakra, bombardime dhe forma të tjera të dhunës. Kjo përbën 86.2 për qind të totalit të viktimave të dokumentuara. Të zhdukur me dhunë janë 1,578.
Në këtë listë hyjnë personat fati i të cilëve mbetet i pazbardhur dhe për të cilët ekzistojnë prova të besueshme se zhdukja lidhet me rrethanat e luftës. Të vdekur si pasojë e luftës janë 241 persona. Në këtë listë hyjnë personat që kanë pësuar plagë ose pasoja të drejtpërdrejta të luftës, të cilat kanë shkaktuar vdekjen gjatë ose pas përfundimit të luftës.
Atdhe Hetemi, drejtor i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, tha se pas themelimit të Institutit, në nëntor të vitit 2023, menjëherë është filluar me harmonizimin e të dhënave që kanë ekzistuar si për personat e vrarë, ata të zhdukur me dhunë dhe të vdekur si pasojë e luftës, por edhe për krimet e tjera siç janë masakrat, varrezat masive dhe kështu me radhë.
“Si rezultat, Instituti si përgjigje institucionale ka filluar procesin e standardizuar të verifikimit dhe validimit të të dhënave. Pra, jo bashkimin teknik të listave ekzistuese, por identifikim, krahasim, verifikim dhe validim individual të secilit person të vrarë, të zhdukur me dhunë apo të vdekur si pasojë e luftës”, ka thënë Hetemi.
Lista preliminare: Bazuar në listë, 1,242 viktima janë nën moshën 17 vjeç, ndërsa 1,949 mbi moshën 65 vjeç. Më së shumti viktima janë të moshës 31-50 vjeç – 4,080 sish. “Nëse e bëjmë analizën mbi bazën e grupmoshave vërehet se 57.5 për qind e personave të përfshirë në listë i përkasin moshave 18 -50 vjeç respektivisht popullsisë në moshë pune.
Grupet me të cenueshme që bëjnë pjesë në këtë listë janë fëmijët nga 0-17 vjeç dhe personat mbi moshën 65-vjeçare. Të dhënat tregojnë që numri total i fëmijëve që e kanë humbur jetën gjatë luftës në Kosovë të moshës 0-17 vjeç është 1,241. Nëse këto të dhëna analizohen mbi bazën etnike shohim që numri i fëmijëve shqiptar ka qenë 1,156”, ka thënë Hetemi.
Edhe Arbëri 1 o. më parë Maloku: Subjektet politike e kanë normalizuar ngërçin E, kryeministri në detyrë ka theksuar se raporti përfaqëson njerëz, jetë, familje dhe histori, të cilët nuk mund të reduktohen në numra, por që shteti ka detyrim t’i dokumentojë me saktësi, dinjitet dhe përgjegjësi. “Veçanërisht e rëndë është pesha e krimeve të kryera ndaj fëmijëve.
Raporti dokumenton se në grupmoshën nga 0 deri në 17 vjeç janë: 1,047 fëmijë të vrarë; 94 kanë vdekur si pasojë e kushteve të luftës; ndërsa ende nuk dihet për fatin e vendndodhjen e 100 fëmijëve të zhdukur me dhunë”, ka thënë Kurti. “Vrasja e mbi një mijë fëmijëve, përtej së qeni statistikë tragjike, është plagë e thellë e shoqërisë sonë.
Është akuzë e përhershme kundër barbarisë së luftës dhe detyrim për shtetin tonë, që e vërteta të dokumentohet, drejtësia të kërkohet dhe kujtesa të ruhet”. Ai ka theksuar se të dhënat tregojnë gjithashtu intensitetin e jashtëzakonshëm të dhunës, të krimeve të luftës, të krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit, gjatë pranverës së vitit 1999.
“Gjatë muajve mars dhe qershor të atij viti, u vranë 9,948 njerëz, që përbëjnë rreth 81.3% të të gjitha viktimave të dokumentuara në këtë raport, e pra numri i gjithmbarshëm i të cilëve është 12,230”, ka thënë Kurti. “Ky fakt flet vetë. Dëshmon për tmerrin që përjetoi popullsia civile gjatë fazës kulmore të luftës.
Këto shifra, këta njerëz të dashur që na u vranë, na obligojnë që kujtesa të mbahet e gjallë dhe e fortë, kurse drejtësia të mbetet kërkesë e pandërprerë”. Skenderaj është komuna me më së shumti viktima. Si të lindur në këtë komunë janë evidentuar 1,279 viktima, prej të cilave 1,109 të vrarë, 103 të zhdukur e 67 të vdekur si pasojë e luftës.
Skenderaj pasohet nga Gjakova me 1,222 viktima, pastaj Drenasi me 938 viktima, Rahoveci me 924, Peja 761, Mitrovica 671, Suhareka 657, Prizreni 648, Podujeva 602 e Klina me 536 viktima. “8,236 raste ose mbi 60 për qind e të gjitha rasteve të dokumentuara janë të përqendruara në këto 10 komuna”, ka thënë Hetemi, i cili ka ofruar statistika edhe për rajonet.
“Rajonet më të prekura janë rajoni i Gjakovës, i Mitrovicës, pastaj i Prishtinës deri te rajoni i Gjilanit, që është një ndër rajonet më së paku të prekura”, ka thënë ai. “Katër rajonet më të prekura përbëjnë mbi 73 për qind të rasteve”.
Kurti tha se kjo listë e parë institucionale është rezultat i punës së Institutit për ta përmbushur përgjegjësinë ndaj viktimave të luftës, familjeve të tyre dhe historisë së vendit. “Për më shumë se çerek shekulli, dokumentimi i viktimave të luftës është bërë nga institucione të ndryshme, organizata vendore e ndërkombëtare, studiues e individë.
Secili prej tyre ka dhënë kontribut të rëndësishëm në ruajtjen e fakteve dhe dokumentimin e luftës. Qeveria e Republikës së Kosovës e vlerëson këtë punë. Instituti është themeluar pikërisht mbi këtë bazë. Jo për të zëvendësuar atë që të tjerët kanë bërë ndër vite, por për të verifikuar dhe institucionalizuar atë”, ka thënë kryeministri në detyrë.
Edhe Arbëri 1 o. më parë Hoti: Zbulimi i mbetjeve mortore në Zubin-Potok, rezultat i hetimeve të Kosovës Raporti përfshin vetëm tri kategori viktimash, që nuk përbëjnë tërësinë e viktimave të luftës në Kosovë. Përfaqësues të Institutit thanë se kategoritë e tjera do të trajtohen në faza të tjera të veçanta të dokumentimit.
Në listë janë të përfshira ato viktima, që kanë lindur, kanë jetuar, ose kanë pasur vendbanim në territorin e Kosovës në kohën e luftës, kanë pësuar plagë vdekjeprurëse, ose janë zhdukur në territorin e Kosovës në rrethana të ndërlidhura drejtpërdrejt me luftën, kanë humbur jetën si pasojë e drejtpërdrejtë e plagëve të marra gjatë luftës, dhe bazuar në dokumentacionin e verifikuar, kanë lidhje të drejtpërdrejtë me ngjarjet e luftës në Kosovë.
