Polemikat politike pas vdekjes tragjike të një punëtori në një vendpunishte në Prishtinë kanë vazhduar me akuza dhe kundërakuza mes figurave politike. Ish-deputeti Haki Abazi ka reaguar pas deklaratës së Alban Krasniqit, i cili e cilësoi kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, si “vrasës” në lidhje me rastin e fundit në kryeqytet.
Në një reagim publik, Abazi iu drejtua kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke rikthyer në vëmendje rastin e Hamide Magashit, e cila u vra në vitin 2022 në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ndonëse ishte nën urdhër mbrojtës. “Aksidentet ndodhin dhe janë fatkeqësi të rënda.
Por kur shteti ka për detyrë të mbrojë një qytetare dhe ajo vritet, atëherë shteti mban përgjegjësi”, ka shkruar Abazi. Ai e cilësoi vrasjen e Hamide Magashit dhe foshnjës së saj si një dështim të institucioneve, duke e përshkruar rastin si “vrasje të shtetit” dhe duke kërkuar përgjegjësi politike për ngjarjen.
Reagimi i Abazit vjen në një kohë kur debati publik është përqendruar te përgjegjësia institucionale pas tragjedisë së fundit në Prishtinë, duke nxitur përplasje të reja mes përfaqësuesve të pushtetit dhe opozitës. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
