Një muaj paraburgim për dy të dyshuarit për krime lufte kundër

0%

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji dy të dyshuarve, M.J. dhe M.B., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Vendimi është marrë nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore, pas aprovimit të kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila kishte kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve. Sipas gjykatës, ekziston rrezik real që të pandehurit, nëse lihen në liri, mund të arratisen për t’iu shmangur përgjegjësisë penale.

Në arsyetimin e aktvendimit theksohet se të dyshuarit janë shtetas të Serbisë, gjë që, sipas gjykatës, rrit mundësinë që ata të largohen dhe të bëhen të paarritshëm për organet e drejtësisë së Kosovës. Po ashtu, gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku që të pandehurit të ndikojnë në prova dhe dëshmitarë, duke penguar zhvillimin e papenguar të procedurës penale.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Për këto arsye, gjyqtarja e procedurës paraprake ka konstatuar se masa e paraburgimit prej një muaji është masa e vetme e përshtatshme për të siguruar praninë e të pandehurve dhe mbarëvajtjen e procesit gjyqësor. Të dyshuarit ngarkohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, sipas nenit 142, në lidhje me nenin 22 të ish-Ligjit Penal të ish-RSFJ-së.

Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij aktvendimi në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë./Telegrafi.

Burimi: Telegrafi