Nikshiqi refuzon iniciativën për tërheqjen e njohjes së Kosovës

0%

Komuna e Nikshiqit ka refuzuar një iniciativë të Partisë Demokratike Popullore (DNP), e cila kërkonte miratimin e një deklarate për tërheqjen e njohjes së Kosovës nga Mali i Zi. Autoritetet komunale theksuan se një vendim i tillë nuk hyn në kompetencat e pushtetit lokal.

Kryetari i Nikshiqit, Marko Kovaçeviq, nga Demokracia e Re Serbe (NSD), deklaroi se komuna nuk e ka njohur kurrë Kosovën, prandaj nuk ka asnjë njohje që mund të tërhiqet. Propozimi ishte dorëzuar nga DNP-ja e udhëhequr nga Milan Knezheviq.

Këshilltarët e kësaj partie kërkuan që Kuvendi Komunal të miratonte një deklaratë politike, duke kundërshtuar vendimin e Malit të Zi të vitit 2008 për njohjen e Kosovës. Në tekstin e iniciativës, ai vendim cilësohej si i marrë “kundër vullnetit të shumicës së qytetarëve”, ndërsa Kosova përshkruhej si “pjesë e pandashme e Serbisë”.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Megjithatë, NSD-ja e hodhi poshtë propozimin, duke rikujtuar se njohja ose mosnjohja e shteteve është përgjegjësi ekskluzive e institucioneve shtetërore dhe jo e komunave. Partia theksoi se të njëjtin qëndrim kishte mbajtur edhe në vitin 2012, kur kishte refuzuar një iniciativë të ngjashme.

Sipas saj, përpjekjet për ta trajtuar çështjen e njohjes së Kosovës në nivel lokal nuk kanë bazë ligjore. “Edhe atëherë, ashtu si sot, kemi theksuar se kjo nuk është kompetencë e vetëqeverisjes lokale.

Ata që mendojnë se komunat e kanë njohur Kosovën dhe tani duhet ta tërheqin atë njohje mund të vazhdojnë me iniciativa të tilla, por kjo nuk do të ndodhë në Nikshiq”, thuhet në reagimin e NSD-së.

Ndërkohë, sipas gazetës malazeze Pobjeda , përfaqësues të Bashkimit Evropian u kanë dërguar paralajmërime jozyrtare autoriteteve të Malit të Zi se çdo nismë për tërheqjen e njohjes së Kosovës mund të ndikojë negativisht në procesin e integrimit evropian të vendit. Megjithatë, deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga BE-ja.

Ky rast ka nxjerrë në pah dallimet brenda partive proserbe në Mal të Zi lidhur me mënyrën se si duhet trajtuar çështja e Kosovës, pavarësisht qëndrimeve të tyre tradicionalisht të afërta.

Burimi: Telegrafi