​Suksesi në Gothia Cup, FFK pret dhe vlerëson 2 Korrikun

0%

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, së bashku me nënkryetarin Bakir Burri dhe anëtarin e Komitetit Ekzekutiv, Samir Ujkani, kanë pritur sot në selinë e federatës delegacionin e 2 Korrikut dhe futbollistët e grupmoshës U15, pas paraqitjes së suksesshme në turneun prestigjioz ndërkombëtar Gothia Cup 2026 në Suedi.

Presidenti Agim Ademi theksoi se paraqitja e ekipit në Gothia Cup është dëshmi e potencialit që posedon futbolli kosovar, duke theksuar se renditja në mesin e tetë ekipeve më të mira nga gjithsej 252 skuadra pjesëmarrëse në kategorinë B15 përbën një sukses të madh.

Sipas tij, 2 Korriku zhvilloi një kampanjë mbresëlënëse me pesë fitore radhazi, duke dëshmuar cilësi të lartë sportive dhe organizative.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ademi vlerësoi gjithashtu promovimin e kulturës dhe identitetit kombëtar nga klubi, i cili u shpall fitues i çmimit “Best Outfit Award 2026” për paraqitjen me veshje tradicionale shqiptare në ceremoninë hapëse të turneut, ku morën pjesë ekipe nga 79 shtete. Si rezultat i këtij vlerësimi, 18 futbollistë të 2 Korrikut do të marrin pjesë pa pagesë në edicionin e ardhshëm të Gothia Cup.

“Na vjen mirë për sukseset që keni arritur. Duke e ditur organizimin dhe nivelin e lartë të klubit tuaj, ky rezultat nuk është i rastësishëm. Gothia Cup është një ngjarje që zhvillohet prej shumë vitesh dhe të renditesh në mesin e tetë ekipeve më të mira nga 252 pjesëmarrëse është një arritje e madhe.

Përveç futbollit, keni treguar nivel të lartë edhe në promovimin e kulturës sonë përmes veshjeve tradicionale, për çka edhe jeni shpërblyer me pjesëmarrje falas për 18 futbollistë në edicionin e ardhshëm. Ju falënderojmë për përfaqësimin dinjitoz të Kosovës dhe ju sigurojmë se mbështetja e FFK-së për zhvillimin e futbollit të të rinjve nuk do të mungojë”, tha Ademi.

Në emër të 2 Korrikut, Shaban Baholli falënderoi FFK-në për pritjen dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj klubit. “ Ju falënderojmë për këtë pritje dhe për përkrahjen që kemi pasur gjithmonë prej jush. Është kënaqësi të kemi afër vetes njerëz që kontribuojnë për zhvillimin e futbollit në Kosovë ”, u shpreh Baholli.

Klubi i Futbollit “2 Korriku”, mori pjesë në turneun ndërkombëtar të futbollit për grupmoshat e reja, Gothia Cup 2026, duke u renditur në mesin e tetë skuadrave më të mira nga 252 skuadra në kategorinë B15 dhe duke fituar çmimin për veshjen më të mirë “Best Outfit Award 2026”, pasi u paraqitën me kostume kombëtare.

Burimi: Bota Sot