Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) përmes një komunikate për media, ka reaguar ndaj publikimit të disa audioincizimeve në media, duke thënë se dënon ashpër çdo formë të presionit, shantazhit apo kërcënimit të Kuvendit të LDK-së.
Mbrëmë në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini janë disa audioincizime, ku pretendohet se zyrtari i Komunës së Prishtinës, Gentrit Syla dhe shefi i asamblistëve të LDK-së në Prishtinë, Egzon Pacolli, një delegati të Kuvendit të LDK-së i ofrojnë një pozite pune për gruan e tij, në këmbim të nënshkrimit kundër Lumir Abdixhikut.
Në reagimin e LDK-së, thuhet se pamjet e publikuara paraqesin një sjellje të papranueshme të këtyre zyrtarëve publikë e në kundërshtim me Statiun e LDK-së, si dhe në kundërshtim me ligjin.
“Prandaj, organet kompetente të LDK-së do të iniciojnë menjëherë dhe pa asnjë vonesë, procedurat statutare dhe disiplinore ndaj këtyre anëtarëve të LDK që rezultojnë të përfshirë në këtë rast, pa dallim funksioni apo pozite” – thuhet në reagim. LDK ka ftuar organet e drejtësisë që të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat e këtij rasti.
Në ndërkohë, pas transmetimit të këtyre audioincizimeve në RTV Dukagjini, kanë reaguar edhe zyrtarët që pretendohet se janë përfshirë në këtë rast, Gentrit Syla dhe Egzon Pacolli. “Unë nuk e di a është punësuar gruaja e tij, sepse ne nuk mirremi me këto punë. Ne sigurisht që gjatë bisedës kemi nejt shlirë, se unë e kam shok moti atë.
Nuk e kam besu që do të merret me këso maniversimesh, po sigurisht që ka qenë e përgaditur prej ekipës së Lumirit, për me ardhë me më shantazhu mua” – ka ndër të tjera Gentrit Syla gjatë lidhjes drejtpërdrejt në “Debat Plus”, duke mohuar pretendimet për punësimin e gruas së delegatit, në këmbim të nënshkrimit kundër Abdixhikut.
“E para nuk e di çka ka rrjedh në këtë incizim ose çka është ky incizim. Nuk kam pozicion unë me punësu kërkënd. As nuk bëj kërcënime as të delegatëve, e as të asamblistëve e as në forma të ndryshme të njerëzve. As nuk iu bëj premtime.
Në këto incizime nuk jam i përfshirë kurgjë, më ka thirrë ky djali Gentriti për një çështje krejt tjetër, por çka e ka përdorë grupi montues i Lumir Abdixhikut nuk e di” – ka Egzon Pacolli, po ashtu gjatë lidhjes në “Debat Plus”, duke mohuar pretendimet.
Kujtojmë që këto zhvillime ndodhin pikërisht para mbajtjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm të LDK-së, që është përcaktuar të mbahet të premten enjten me . LDK ka bërë të ditur se vendi i mbajtjes së Kuvendit dhe detajet e tjera organizative do t’u komunikohen delegatëve në përputhje me procedurat e përcaktuara në Statutin e partisë.
“Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar që i gjithë ky proces të zhvillohet në përputhje të plotë me Statutin e partisë, me parimet demokratike, transparencën institucionale dhe respektimin e vullnetit të delegatëve të Kuvendit”- thuhet në njoftimin LDK-së.
Në selinë e LDK-së janë deponuar 148 nënshkrime të delegatëve të LDK-së për mbajtjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm dhe shkarkimin e tij nga detyra e kryetarit të partisë. Sipas Statutit të LDK-së, Kuvendi thirret edhe atëherë kur këtë e kërkon 1/3 (një e treta) e delegatëve që e përbëjnë Kuvendin.
Kuvendi, sipas Statutit, mbahet në afatin prej 60 ditësh nga dita kur është shtruar kërkesa me shkrim. Mbledhja e nënshkrimeve për të thirrur Kuvendin e jashtëzakonshëm erdhi pasi disa degë të LDK-së, si Peja, Lipjani, Rahoveci, Dega e dytë e LDK-së në Prishtinë, ajo e Deçanit dhe dega e Austrisë kërkuan dorëheqjen e Abdixhikut pas rezultatit zgjedhor në qershor.
Pasi Abdixhiku refuzoi të dorëhiqej, filloi mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e tij. LDK në zgjedhjet e 7 qershorit ka fituar 18 ulëse në Kuvend pasi u rendit si subjekti i tretë në zgjedhje me 16.69% të votave.
