Me një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe me titullin “Doktor i Shkencave” në jurisprudencë, Adnan Xholi është emri i parë që ka hyrë zyrtarisht në garën për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Prokurori i posaçëm i SPAK ka dorëzuar kërkesën pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), duke shfaqur interesin për të drejtuar institucionin më të lartë të akuzës në vend.
Me një karrierë mbi dy dekada në sistemin e drejtësisë, Xholi është një nga emrat më të njohur të prokurorisë shqiptare. I lindur në Dibër më , ai ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë dhe është emëruar prokuror në janar të vitit 2004.
Më herët ka shërbyer si oficer i Policisë Gjyqësore dhe si prokuror në Gjirokastër, përpara se të transferohej në ish-Prokurorinë për Krime të Rënda në Tiranë. Gjatë karrierës së tij ka mbajtur edhe disa funksione drejtuese.
Ai ka drejtuar përkohësisht Prokurorinë e Lezhës dhe Prokurorinë për Krime të Rënda, ndërsa më pas ka qenë Drejtor i Drejtorisë së Kontrollit të Hetimit dhe më vonë Drejtor i Drejtorisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme.
Në korrik të vitit 2021, pas kalimit të procesit të rivlerësimit kalimtar (Vetting), Xholi iu bashkua Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku ushtron detyrën e prokurorit të posaçëm. Në SPAK ai ka hetuar dosje të bujshme të narkotrafikut vrasjeve me pagese dhe krimit të organizuar.
Kjo nuk është hera e parë që Adnan Xholi kandidon për një post drejtues. Në vitin 2022 ai ishte kandidat për drejtimin e SPAK, ndërsa në fund të vitit 2025 garoi sërish për kreun e institucionit, duke paraqitur platformën e tij për forcimin e hetimeve dhe rritjen e efektivitetit të prokurorisë.
Tashmë, me aplikimin për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, Xholi bëhet kandidati i parë që hyn në garën për të pasuar Olsian Çelën, mandati shtatëvjeçar i të cilit përfundon në dhjetor të këtij viti. Afati për dorëzimin e kandidaturave pranë KLP-së është 1 gushti.
