Dronët e prodhuar nga Irani u kanë shkaktuar dëme të mëdha forcave ukrainase që luftojnë kundër trupave ruse. Moska ka marrë edhe teknologji dronësh nga Teherani, duke e rritur dukshëm prodhimin dhe tani përdor dronë të shumtë në luftën e saj për ta pushtuar Ukrainën. Nga këndvështrimi i Ukrainës, kjo nënkupton se Irani është i përfshirë tërthorazi në këtë luftë.
Dhe, kjo do të thotë se anijet iraniane të mallrave që bartin ngarkesa drejt Rusisë cilëson shënjestër e ligjshme ushtarake. Pikërisht kjo ndodhi gjatë fundjavës në Detin Kaspik, dhe tani Teherani nuk është aspak i kënaqur. Pushtimi i nisur nga Rusia më 2022 ka tronditur politikën evropiane. Lufta SHBA-Izrael kundër Iranit ka tronditur politikën në Lindjen e Mesme.
Pra, çfarë nënkuptojnë sulmet ukrainase ndaj ngarkesave iraniane – ose anijeve ruse – në Detin Kaspik për këto dy luftëra? Ukraina e ka rritur përdorimin e dronëve në sasi dhe cilësi që nga viti 2022, kur Rusia nisi pushtimin e saj të plotë.
“Nëse ukrainasit vazhdojnë ta bëjnë këtë, padyshim që do ta vështirësojnë gjendjen si për Iranin, ashtu edhe për Rusinë”, tha Nicole Grajewski, eksperte për marrëdhëniet Rusi-Iran në universitetin francez Sciences Po. Megjithatë, ajo shtoi: “Nuk mendoj se ky është ndryshim thelbësor që do ta ndryshojë edhe rrjedhën e luftës”.
“Sulmi ukrainas ndaj një anijeje iraniane përfaqëson një ndryshim të rëndësishëm në taktika dhe dërgon një mesazh të qartë se Ukraina nuk do ta tolerojë agresionin, pavarësisht se nga vjen ai”, tha Luke Coffey, ekspert për Rusinë në institutin Hudson, një institut kërkimor në Uashington.
“Dyshoj se operacione të tilla do ta bëjnë gjithnjë e më të vështirë transportin detar midis Rusisë dhe Iranit nëpër Detin Kaspik” , tha ai. Teherani “i përgjigjet çdo veprimi kundër tij”
Rrethanat e incidentit të 25 korrikut mbeten të paqarta Agjencia kryesore e inteligjencës së brendshme të Ukrainës, SBU, tha se dronët goditën një anije raketore ruse të quajtur Molnyia, si dhe dy anije mallrash, për të cilat tha se “ishin nën sanksione ndërkombëtare dhe përdoreshin për bartjen e ngarkesave ushtarake midis Iranit dhe Rusisë”.
Ukraina ka “arritur rezultate shumë të forta me sulmet me rreze të gjatë në Detin Kaspik, përfshirë ndaj anijeve të përdorura për bartjen e ngarkesave ushtarake që lidhen me Iranin”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në një postim në Telegram.
Ky përshkrim duket se i referohet dy anijeve ruse, Port Olya 2 dhe Begey, të cilat ndodhen nën sanksione ndërkombëtare për shkak të luftës në Ukrainë. Nuk dihet saktësisht se çfarë po bartnin këto anije.
Pasi mori mijëra dronë vetëvrasës të prodhuar nga Irani në muajt e parë të pushtimit të nisur në shkurt 2022, Rusia ndërtoi fabrikat e veta të montimit dhe shtoi përmirësime të reja mbi projektet origjinale iraniane. Autoritetet iraniane reaguan me zemërim ndaj sulmit ndaj anijeve, duke thënë se një marinar u vra dhe duke premtuar hakmarrje.
Diplomati më i lartë ukrainas në Teheran u thirr takim qortues në Ministrinë e Jashtme iraniane. “Zelensky ka sulmuar një anije tregtare iraniane, duke vrarë një marinar”, shkroi ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, në rrjetin X, duke e quajtur këtë ” shkelje të hapur të Kartës së Kombeve të Bashkuara, e kryer me nxitjen e Izraelit për ta zhytur Evropën në luftën e tij”.
Kievi së shpejti do të mësojë se Teherani “nuk lë pa iu përgjigjur asnjë veprimi”, tha Ebrahim Azizi, kryetar i Komisionit për Siguri Kombëtare në Parlamentin iranian, në një tjetër postim. Përtej retorikës së ashpër, mbetet e paqartë deri në çfarë mase Irani do të ishte në gjendje të hakmerrej.
“Teherani është qartazi i zemëruar, por ka aftësi shumë të kufizuara për të projektuar fuqi ushtarake kundër Ukrainës”, tha Saeid Golkar, ekspert për ushtrinë iraniane dhe profesor në Universitetin e Tenesisë.
“Nëse vendos të përgjigjet, do të prisja diçka të tërthortë, si operacione kibernetike, aktivitete të inteligjencës, mbështetje për operacionet ruse ose ndoshta goditje ndaj interesave ukrainase jashtë vendit, më shumë sesa një sulm konvencional ushtarak”, tha ai.
“Nuk është domosdo në interesin e Iranit ta përfshijë Ukrainën në këtë konflikt dhe nuk besoj se është as në interesin e Rusisë”, tha Grajewski . “Rusët mund të jenë duke ushtruar presion mbi Iranin që të përmbahet”.
Edhe Nate Swanson, i cili shërbeu si drejtor për Iranin në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë gjatë presidencës së Joe Bidenit, shprehu dyshime për aftësinë e Iranit për t’u përgjigjur seriozisht. “Irani leh më shumë sesa kafshon kur bëhet fjalë për Ukrainën”, tha Swanson, tani studiues në Këshillin e Atlantikut, një institut kërkimor në Uashington.
“Edhe pse është e mundur që Irani të ndërmarrë ndonjë përgjigje simbolike ndaj Ukrainës, besoj se as Ukraina dhe as Irani nuk kërkojnë të hapin fronte të reja në luftërat e tyre përkatëse”, theksoi ai. “Kërcënimet e Iranit duken më shumë si një sinjal për Rusinë”, tha Mikhail Troiskiy, drejtues i Programit për Rusinë dhe Euroazinë në universitetin Tufts.
“Teherani ka nevojë për mbështetje më të madhe nga Moska, e cila me gjasë nuk po i plotëson të gjitha kërkesat iraniane për inteligjencë dhe pajisje”. “Dy anët e medaljes” Kjo nuk ishte hera e parë që Ukraina goditi shënjestra në Detin Kaspik.
Flota ruse prej 28 anijesh në Detin Kaspik, e vendosur pranë Makaçkalës, rreth 1.300 kilometra larg territorit ende nën kontrollin ukrainas, ka lëshuar më parë raketa ndaj shënjestrave brenda Ukrainës. Sipas Coffeyt, të paktën 12 anije luftarake ruse janë goditur më herët gjatë pushtimit rus, megjithëse shkalla e dëmeve në shumë raste mbetet e paqartë.
Edhe Izraeli, i cili ka kryer sulmet e veta ndaj Iranit në bashkërendim me forcat amerikane, ka goditur caqe iraniane në Detin Kaspik. Më 18 mars, rreth tri javë pas fillimit të fushatës amerikano-izraelite, avionët izraelitë goditën portin Bandar Anzali, duke fundosur një numër të panjohur anijesh ushtarake.
Ekspertët thanë se është e mundur që forcat ukrainase të kenë vepruar gjatë fundjavës me ndihmën e inteligjencës izraelite. “Nga pikëpamja strategjike, kjo do të kishte kuptim”, tha Golkar . “Izraeli ka mbulim shumë të mirë të inteligjencës në Iran, ndërsa Ukraina ka interes të madh për ta penguar bashkëpunimin ushtarak Iran-Rusi”.
Irani dhe Rusia zhvillojnë stërvitje të përbashkëta detare në Iranin jugor më 19 shkurt. Zelensky, i cili u takua me presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë më 28 korrik, pritej t’i paraqiste sulmet ukrainase si një shtesë të rëndësishme në fushatën amerikane kundër Iranit.
Po ashtu, Zelensky pritej të ngrinte pretendimet e mëhershme të Ukrainës se Rusia po i furnizon Iranit imazhe satelitore dhe informacione të tjera të inteligjencës, duke e ndihmuar Teheranin të shënjestrojë caqe amerikane në rajonin e Gjirit, përfshirë stacionet e CIA-s.
Sipas Coffeyt, edhe koha e sulmeve ishte me shumë gjasë e zgjedhur qëllimisht: për të tërhequr vëmendjen e administratës Trump. “Nuk besoj se kjo e ndërlikon situatën për administratën Trump. Përkundrazi, presioni shtesë mbi Iranin ka gjasa të shihet pozitivisht”, tha ai .
“Gjithashtu, dyshoj se është rastësi që këto sulme ndaj transportit detar iranian ndodhën vetëm pak ditë para takimeve të Zelenskyt në Shtëpinë e Bardhë”. Megjithatë, përpjekjet e Kievit për t’i ndërthurur këto dy luftëra mund t’ia vështirësojnë punën Uashingtonit, tha Grajewski.
“Amerikanët, për çfarëdo arsye, nuk duan të tregojnë se rusët janë të përfshirë në luftën kundër Iranit”, tha ajo . “Në këtë kuptim, po, kjo e ndërlikon situatën sepse ukrainasit po dalin publikisht dhe po thonë se ka përfshirje të drejtpërdrejtë ruse”. Administrata Trump “dëshiron t’i trajtojë këto dy luftëra si konflikte të ndara”, tha ajo.
“Sa më shumë që këto dy luftëra ndërthuren, aq më e vështirë do të jetë të justifikohen disa nga politikat që lidhen me Ukrainën dhe Iranin”. “Kjo ka dy anë të medaljes” , tha Golkar. “Nga njëra anë, pengimi i bashkëpunimit ushtarak Iran-Rusi përputhet me interesat më të gjera strategjike të SHBA-së pa kërkuar përfshirje të drejtpërdrejtë amerikane.
Nga ana tjetër, kjo shton një shtresë të re kompleksiteti. Uashingtoni tani duhet të menaxhojë marrëdhëniet me Ukrainën, Izraelin, partnerët në Gjirin Persik dhe Iranin, ndërsa përpiqet të parandalojë një përshkallëzim më të gjerë rajonal”.
