Tashmë ka kohë që për zërin dhe talentin e tij nuk flet vetëm vendlindja e tij, Tetova, por e gjithë bota shqiptare. E kemi fjalën për djalin më viral të momentit në muzikë, Rilind Alimanin. Ai tashmë nuk ka të ndalur dhe është mjaft i angazhuar e i kërkuar kudo.
Këngëtari sapo ka sjellë, pak ditë më parë, një këngë solo mjaft të bukur, të vizualizuar me klip, me titull “Ya Hayati”, ku për muzikën është kujdesur vetë ai së bashku me Benny Bee dhe Indrit Doden, ndërsa edhe teksti dhe beat-i mbajnë vulën e vetë këngëtarit.
Rilindin, në këtë verë të nxehtë, e gjejmë mjaft të pranishëm kudo nëpër koncerte, por ai ua ka marrë zemrat jo vetëm publikut të shumtë që e ndjek, por edhe artistëve më të njohur të muzikës shqiptare. Po, është e vërtetë.
Ylli i njohur i muzikës shqiptare, Elvana Gjata, ka zgjedhur talentin Rilind Alimani për duetin që pritet të jetë ndër më të nxehtët e kësaj vere dhe do të publikohet, siç na ka informuar vetë këngëtari në rrjetet sociale, më 30 korrik. Kënga me Elvanën do të titullohet “Po du”, ku mësojmë se edhe në këtë projekt për muzikën është kujdesur vetë Rilindi së bashku me Benny Bee.
Teksti është shkruar nga vetë artisti, ndërsa beat-i është realizuar nga ai së bashku me Benny Bee dhe Lennox. Të gjithë janë në pritje të këtij super dueti dhe të super suksesit të radhës të artistit më viral të këtij viti, Rilind Alimanit. Rilind Alimani
