Komentet e mëparshme të Jordan Henderson për Liverpoolin janë rikthyer në vëmendje, pasi mesfushori është lidhur në mënyrë befasuese me një transferim te Chelsea. Të hënën, gazetari David Ornstein raportoi se Xabi Alonso dëshiron ta transferojë Hendersonin nga Brentford, pak pasi Chelsea zhvilloi “bisedime pozitive” me Brighton për një marrëveshje për Danny Welbeck.
Brentford është i gatshëm ta lejojë anglezin të largohet si lojtar i lirë, falë marrëdhënies së shkëlqyer mes klubit dhe futbollistit.
Henderson ka edhe një vit të mbetur në kontratën dyvjeçare që nënshkroi verën e kaluar. 36-vjeçari zhvilloi 34 paraqitje në të gjitha garat sezonin e kaluar nën drejtimin e Keith Andrews, duke përdorur përvojën dhe aftësitë e tij si lider për ta ndihmuar skuadrën të përfundonte në vendin e nëntë në Premierligë.
Ish-kapiteni i Liverpoolit u përfshi gjithashtu në skuadrën e Anglisë për Kupën e Botës këtë verë, me Thomas Tuchel që theksoi se përvoja dhe lidershipi i tij ishin elementë kyç për “Tre Luanët”.
Ai theu kyçin e dorës pasi u rrëzua mbi tabelat reklamuese pas fitores 3-2 të Anglisë ndaj Meksikës në fazën e 1/8 së finales, por u rikthye në kohë për të qenë pjesë e skuadrës në çerekfinalen ndaj Norvegjisë. Henderson u largua nga Liverpool në vitin 2023 pasi zhvilloi pothuajse 500 ndeshje me klubin dhe ngriti trofeun e Premierligës si kapiten në vitin 2020.
Veterani luajti gjithashtu një rol vendimtar në skuadrën që fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 2019, duke u shndërruar në një legjendë të “Anfield”. Megjithatë, pas largimit nga Merseyside, karriera e tij hasi vështirësi. Ai qëndroi vetëm gjashtë muaj te Al-Ettifaq përpara se të transferohej te Ajax.
Rikthimi në Premierligë me Brentford i dha një shtysë të re karrierës së tij, por një transferim te Chelsea mund të rrezikojë të zbehë trashëgiminë që ka lënë te Liverpool. Pas 12 vitesh të jashtëzakonshme me “Të Kuqtë”, Henderson kishte publikuar një mesazh emocionues për t’i dhënë lamtumirën klubit.
“Është e vështirë t’i përshkruaj me fjalë këto 12 vitet e fundit dhe është edhe më e vështirë të them lamtumirë. Unë do të jem gjithmonë një i Kuq. Deri në ditën që do të vdes. Faleminderit për gjithçka. You’ll Never Walk Alone.
Jordan.” Ky mesazh tregonte qartë lidhjen e tij të fortë me Liverpoolin, ndaj shumë tifozë besojnë se një ish-kapiten nuk do të transferohej kurrë te një rival i drejtpërdrejtë si Chelsea.
Nga ana tjetër, nuk është e vështirë të kuptohet pse Henderson mund të jetë i interesuar për një kalim në “Stamford Bridge”, sidomos duke pasur parasysh fjalët vlerësuese që Xabi Alonso kishte thënë për të në vitin 2019. “Mendoj se ai respektohet jashtëzakonisht shumë dhe është shumë i rëndësishëm për shokët e skuadrës.
Kjo është ndjesia që kam kur e shoh nga tribunat,” kishte deklaruar spanjolli. “Për mënyrën se si luan skuadra, ai është shumë i rëndësishëm për shkak të energjisë që sjell.” Përvoja e Hendersonit në nivelin më të lartë mund të jetë shumë e vlefshme për skuadrën e re të Chelsea, e cila ka vuajtur nga mungesa e një lideri të klasit të lartë që nga largimi i Thiago Silva në vitin 2024.
Transferimi i 36-vjeçarit, së bashku me ardhjen e mundshme të Danny Welbeck, mund të rezultojë vendimtar në dhomën e zhveshjes së skuadrës së drejtuar nga Xabi Alonso, ndërsa Chelsea synon të sigurojë një vend në garat evropiane për sezonin 2026/27.
Nëse Henderson transferohet te Chelsea këtë verë, mbetet për t’u parë se çfarë pritjeje do t’i rezervojnë tifozët e Liverpoolit kur dy skuadrat të përballen gjatë sezonit.
