Shpërndaje në: Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka deklaruar se në këto kohë duhet një LDK e fortë për t’u përballur me sfidat politike dhe për ta larguar nga pushteti, siç është shprehur ai, mazhorancën që i ka bërë dëme të mëdha Kosovës.
Përmes një reagimi lidhur me Kuvendin e jashtëzakonshëm të LDK-së, i cili mbahet të enjten, Hoti ka thënë se ky mekanizëm statutar është paraparë nga ideologët e LDK-së, duke ndjekur praktikat e partive simotra të LDK-së në vendet e Bashkimit Evropian, për ushtrimin e kontrollit demokratik të delegatëve ndaj lidershipit të partisë.
Sipas tij, Kuvendi është thirrur pasi nuk pajtohen me humbjen në tri palë zgjedhje parlamentare dhe me humbjen e dy komunave në zgjedhjet lokale. “Nuk mund të ulim kokën dhe të ndihemi rehat me këto rezultate të dobëta, siç po na thotë, praktikisht, lidershipi aktual i LDK-së duke kundërshtuar thirrjen e Kuvendit. Një LDK që e ul kokën përballë këtyre humbjeve nuk i shërben Kosovës.
Një LDK e tillë mund të jetë vetëm në interes të kundërshtarëve politikë”, ka shkruar Hoti. Ai ka shtuar se thirrja e Kuvendit u bë domosdoshmëri pasi, sipas tij, lidershipi aktual nuk e respektoi standardin e vendosur në vitin 2021, kur Isa Mustafa mori përgjegjësinë dhe hapi rrugën përmes së cilës në krye të LDK-së u zgjodh Lumir Abdixhiku.
Edhe Arbëri 20 pri 2026 Si hyri Kosova në aventurën e “këmbimit” të territoreve? Hoti ka theksuar se Kuvendi nuk është thirrur kundër askujt, por për shkak se, sipas tij, Kosovës i duhet një LDK e fortë.
“Na duhet një LDK e fortë për të larguar nga pushteti këtë mazhorancë që i ka bërë dëme të mëdha Kosovës: (1) ka dëmtuar aleancat strategjike të Kosovës, (2) nuk e ka zbatuar Marrëveshjen e Uashingtonit, (3) e ka braktisur dialogun për njohje reciproke në Bruksel e Uashington dhe ka përfunduar në Ohër duke marrë obligime përmes një aneks-marrëveshjeje të panënshkruar, (4) aferat në energjetikë, abuzimet me buxhetin e shtetit, tenderët me negocim e nepotizmi në emërimet politike e kanë karakterizuar gjithë qeverisjen 6-vjeçare të LVV-së, (5) presioni ndaj organeve të drejtësisë, mos emërimi i Kryeprokurorit të Shtetit në kundërshtim me Kushtetutën, shkarkimi i Kryesueses së KQZ-së, shkarkimet joligjore të bordeve dhe organeve të tjera të pavarura, instrumentalizimi i RTK-së dhe i AKI-së, mosparaqitja e Kryeministrit para organeve të drejtësisë e probleme të tjera e kanë përkeqësuar sundimin e ligjit dhe ndarjen e pushteteve, (6) dështimet në ekonomi e në investime kapitale, inflacioni e rritja e kostove të jetesës, mungesa e investimeve në shëndetësi e probleme të tjera ekonomike e sociale e kanë përkeqësuar mirëqenien e familjeve.
Këto dhe çështje të tjera të interesit publik përbëjnë betejën tonë politike, për të cilat beteja na duhet një LDK e fortë”, ka deklaruar ai. Më tej, Hoti ka theksuar se Kuvendi nuk është thirrur për të legjitimuar në krye të LDK-së një person tjetër. “Kuvendi i LDK-së nuk është thirrur për të legjitimuar në krye të LDK-së një person tjetër.
Lidershipi i ri i LDK-së nuk mund të paracaktohet nga askush, as nga grupet jashtë LDK-së, as nga dëshirat e preferencat brenda LDK-së”, ka shkruar ai. Ai ka shtuar se lidershipi i ri do të jetë rezultat i zgjedhjeve të përgjithshme në LDK, të cilat, sipas tij, do të zhvillohen sipas Statutit dhe rregulloreve të partisë.
Edhe Arbëri 15 kor 2026 LDK-ja pezullon bisedimet me LVV-në pas nismës për shkarkimin e Abdixhikut “Zgjedhjet do të jenë transparente, me afate të qarta dhe të arsyeshme për të mundësuar pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të LDK-së. Zgjedhjet do të mbikëqyren në përpikëri nga organet kompetente të LDK-së për të siguruar rregullsinë, transparencën dhe gjithëpërfshirjen.
Vetëm zgjedhjet e tilla sigurojnë konkurrencë zgjedhore, që nga niveli i nëndegëve dhe degëve e deri te strukturat qendrore të LDK-së. Nuk ka rrugë tjetër për zgjedhjen e lidershipit të LDK-së përveçse përmes këtij procesi të përcaktuar në Statutin e LDK-së”, ka përfunduar Hoti. Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së pritet të mbahet të enjten nga ora , me kërkesë për shkarkimin e Abdixhikut.
