Është identifikuar dhe ndëshkuar shoferi i automjetit i cili, sipas pamjeve të publikuara në rrjetin social Facebook, kishte kryer kundërvajtje në rrugën “Besnik Lajqi” në Pejë.
Sipas njoftimit të Policisë, më një portal kishte publikuar një video-incizim ku shihej një automjet i tipit Mercedes, me targa të Gjermanisë, duke tejkaluar kolonën e automjeteve në krahun e djathtë dhe më pas duke lëvizur në trotuar, për t’u rikthyer sërish në shiritin rrugor.
Ekipet e trafikut në qytet kanë arritur të identifikojnë kundërvajtësin, ndaj të cilit është shqiptuar gjoba për shkeljen e rregullave të komunikacionit. Shoferi, i cili posedon patentë shofer të një shteti të huaj, me pëlqimin e tij ka pranuar dyfishimin e vlerës së gjobës, në përputhje me dispozitat e Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor.
Ky ligj parasheh mundësinë që drejtuesit me patentë shofer të huaj, me pëlqimin e tyre, në vend të masës së ndalimit të drejtimit të automjetit për tre muaj, t’u shqiptohet dyfishimi i vlerës monetare të gjobës. Autoritetet kanë bërë të ditur se masat ndaj shkeljeve të tilla synojnë rritjen e sigurisë në komunikacion dhe parandalimin e sjelljeve të rrezikshme në trafik.
