“Dita e Mjedrës 2026” sjell në Teneshdoll teknologjitë më të avancuara

0%

Pas katër edicioneve të suksesshme të organizuara në Prizren, Prishtinë, Podujevë dhe Radavc të Pejës, Shoqata Nacionale e Pemëve të Imëta “Mjedra e Kosovës” organizon këtë vit edicionin e pestë të “Ditës së Mjedrës 2026”, e cila do të mbahet në Teneshdoll të Prishtinës.

Ky aktivitet do të mbledhë fermerë, agronomë, kompani grumbulluese, eksportues, përfaqësues institucionesh dhe të gjithë të interesuarit për sektorin e mjedrës, duke ofruar një mundësi për t’u njohur nga afër me teknologjitë dhe praktikat më moderne që po transformojnë prodhimin e këtij fruti.

Risia kryesore e këtij edicioni është prezantimi, për herë të parë në Kosovë, i disa prej inovacioneve më të avancuara në kultivimin e mjedrës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të shohin kultivimin e mjedrës në vazo në fushë të hapur, kultivimin në vazo në mjedise të mbrojtura (serra), sisteme moderne të hijezimit të dizajnuara për mbrojtjen e bimëve nga temperaturat e larta dhe përmirësimin e cilësisë së prodhimit, si dhe zgjidhje bashkëkohore për ujitje dhe menaxhimin e plantacioneve.

Gjatë aktivitetit, të pranishmit do të vizitojnë plantacionin demonstrues, ku do të zhvillohen demonstrime praktike në terren për mënyrën e aplikimit të këtyre teknologjive.

Po ashtu, ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë do të prezantojnë praktikat më të mira në kultivimin e mjedrës, ndërsa fermerët dhe kompanitë do të kenë mundësi të diskutojnë, të shkëmbejnë përvoja dhe të krijojnë bashkëpunime të reja.

Programi i “Ditës së Mjedrës 2026” përfshin vizitën në plantacionin demonstrues, demonstrime teknike në terren, prezantime profesionale nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, diskutime mes fermerëve, kompanive dhe institucioneve, si dhe sesione rrjetëzimi për nxitjen e partneriteteve të reja në sektor.

Organizatorët theksojnë se “Dita e Mjedrës” është shumë më tepër sesa një aktivitet teknik. Ajo shërben si një platformë për prezantimin e risive, ndarjen e përvojave më të mira dhe promovimin e teknologjive që ndikojnë në rritjen e produktivitetit dhe cilësisë së prodhimit, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të mjedrës në Kosovë.

Aktiviteti do të nisë në orën në Teneshdoll të Prishtinës, ndërsa organizatorët kanë ftuar fermerët, ekspertët e bujqësisë, kompanitë dhe të gjithë të interesuarit të bëhen pjesë e kësaj dite kushtuar inovacionit, teknologjisë dhe zhvillimit të kultivimit të mjedrës në vend.

Burimi: Bota Sot