Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se Ukraina do t’i humbasë “tokat perëndimore”, të cilat, sipas pretendimeve të tij, u përkisnin historikisht kombeve të tjera evropiane. Putini i ka bërë këto komente gjatë një takimi me pjesëtarë të marinës ruse, me rastin e Ditës së Marinës.
“Jam i sigurt se herët a vonë Ukraina do t’i humbë këto toka perëndimore”, ka thënë Putini, duke iu referuar zonave që, sipas tij, dikur u përkisnin Polonisë, Hungarisë dhe Rumanisë. “Jo nesër, ndoshta jo pasnesër, pas një viti, dy, 10 apo 15 vjetësh, por gjithçka do të vendoset në vendin e vet nga këndvështrimi historik”, ka thënë Putin.
Sipas ekspertëve të komunikimit kjo është një deklaratë e qëllimshme e shefit të Kremlinit për të zgjuar në Poloni, Hungari dhe Rumani grupet nacionaliste që besojnë vërtetë se këto territore iu përkasin këtyre vendeve, duke shtuar tensionin e brendshëm në këto shtete.
Ndërkohë, të hënën është raportuar se zyrtarë ukrainas dhe amerikanë kanë diskutuar një propozim për t’i ofruar Rusisë një armëpushim ajror. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se Rusia e konsideronte të parakohshëm komentimin e çdo propozimi të tillë për armëpushim.
