Rahoveci zona më e goditur nga vërshimet, dëme në shtëpi e

0%

Rajoni i Prizrenit u përball mëngjesin e sotëm me vërshime të shpejta si pasojë e reshjeve intensive të shiut. Ndonëse në Prizren situata u normalizua pas mesditës pa pasoja të mëdha, në Rahovec sektori i bujqësisë ka pësuar goditje të fuqishme, ku shumë fermerë raportojnë për humbje të kulturave të tyre.

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar vërshime të mëdha në rajonin e Prizrenit, ku Komuna e Rahovecit mbetet zona më e goditur prej tyre. Sasi të mëdha uji kanë mbuluar akset kryesore rrugore dhe parkingjet, duke depërtuar edhe në oborret e shtëpive.

“Sa herë që bjen shi, dëmi minimum është 2 apo 3 mijë euro, minimumi që është teknika e bardhë, maqinat e lamjes e këto gjëra”, tha Almir Vuçitërna, banor i Rahovecit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Drejtori për Emergjenca dhe Shpëtim në Rahovec, Irfan Berisha, ka bërë të ditur se aktualisht është herët të flitet për vlerën e saktë të dëmeve të shkaktuara, pasi komisioni komunal do të dalë në terren gjatë ditëve në vijim për ta bërë vlerësimin e plotë. “Ky vërshim që ka ndodh sot në orët e hershme të mëngjesit, realisht nuk ishte paraparë në këtë shkallë, mirpo ja që ka ndodh.

Qysh nga orët e hershme të mëngjesit të gjitha ekipet kanë qenë në terren me ju ofru qytetarëve ndihmë”, theksoi ai. Sektori i bujqësisë, që përbën shtyllën kryesore ekonomike të Rahovecit, ka pësuar dëme mjaft të mëdha nga këto vërshime. Vetëm fermerit Ilvi Jupa uji i rrëmbeu plotësisht punën e një viti në një sipërfaqe prej 45 ari të mbjellë me pjepër.

“Tanë vitin kemi punu, shkoj huq për 10 minuta, e lus qeverinë të na ndihmojë pak se nuk e përballojmë dot këtë dëm”, tha ai Vërshimet kanë shkaktuar dëme të mëdha për fermerët pothuajse në të gjithë territorin e komunës.

“Komplet kjo që thirret Eremnik nga këtu e deri tek “Rrasat e Rahovecit”, komplet kjo është nën ujë, do me thënë ka dëme në vreshtari, ka në perimtari, ka në pemtari, do me thënë në të gjitha kulturat bujqësore që i përfshin Eremniku janë të përmbytura”, pohoi Behar Thaqi, drejtor i bujqësisë në Rahovec.

Reshjet e shpejta dhe të dendura të shiut kanë krijuar vështirësi të përkohshme në qarkullimin rrugor në komunën e Prizrenit. Sasia e madhe e ujit që ra brenda pak minutave ka bllokuar pusetat e kanalizimit rrugor, por për fat të mirë nuk raportohet për dëme materiale apo në njerëz.

Situata në këtë komunë është normalizuar plotësisht pas mesditës, ndërsa në komunat e tjera më të prekura të rajonit, si në Rahovec, pritet që komisionet zyrtare të dalin në terren në ditët në vijim për vlerësimin e saktë të dëmeve.

Burimi: Bota Sot