Policia e Ferizajt: 97 motoçiklistë u gjobitën e 50 motoçikleta e

0%

Policët e trafikut ndërmjet datave 1 e 26 korrik i kanë gjobitur 97 motoçiklistë, derisa 50 motoçikleta e skuterë u janë konfiskuar ngasësve të tyre për shkelje të ligjit të trafikut në rajonin e Ferizajt. Kontrollet dhe aksionet janë organizuar në kuadër të planit operativ “Kontrolli i shtuar i qarkullimit të motoçikletave dhe skuterëve”.

Policia Rajonale e Ferizajt, që mbulon komunat e Ferizajt, Hanit të Elezit, Kaçanikut, Shtërpcës dhe Shtimes, ka bërë të ditur se prej fillimit të muajit ka intensifikuar kontrollet në trafik, me fokus të veçantë te drejtuesit e motoçikletave dhe skuterëve.

“Si rezultat i këtyre kontrolleve, janë shqiptuar gjithsej 97 gjoba ndaj drejtuesve të motoçikletave, të cilët janë kapur duke qarkulluar në kundërshtim me rregullat dhe ligjet e komunikacionit rrugor” – ka njoftuar në një komunikatë për media Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun e Policisë Rajonale të Ferizajt.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Po ashtu, gjatë kësaj periudhe janë konfiskuar 50 motoçikleta/skuterë, kryesisht për mungesë të dokumentacionit të rregullt”.

Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se 50 gjoba janë shqiptuar në muajin e shtatë për drejtimin e motoçikletës pa patentë shofer, 27 të tjera për ngasje të motoçikletave pa regjistrim, 10 gjoba ndaj ngasësve pa helmeta dhe 10 gjoba për masa të tjera, të cilat nuk janë specifikuar në komunikatën zyrtare të Policisë Rajonale të Ferizajt.

“Ngasja e papërshtatshme e motoçikletave dhe mosrespektimi i rregullave të trafikut rrezikon drejtpërdrejt jetën e drejtuesit dhe të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion” – thuhet në komunikatë, duke u bërë thirrje motoçiklistëve që të respektojnë kufizimin e shpejtësisë, të përshtatin ngasjen me kushtet e rrugës dhe gjithnjë ta vendosin helmetën mbrojtëse.

Policia ka njoftuar se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me qëllim rritjen e sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve rrugore.

Burimi: Kallxo