Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se ka thirrur Kuvendin e Jashtëzakonshëm të partisë, i cili do të mbahet më 30 korrik, pas kërkesës për shkarkimin e tij nga posti i kryetarit.
Përmes një reagimi publik, Abdixhiku tha se e ka konsideruar këtë kuvend të panevojshëm, të parakohshëm dhe përçarës, por theksoi se, në emër të demokracisë, e ka pranuar këtë proces. “Kam thirrur Kuvendin e Jashtëzakonshëm të LDK-së. Siç ma kërkuan, për shkarkimin tim” , shkroi ai.
Abdixhiku kujtoi se gjatë pesë viteve në krye të LDK-së ka dalë katër herë para anëtarësisë, ndërsa në tri raste kishte kërkuar vetë besimin e delegatëve. Sipas tij, kjo është hera e parë në 37-vjeçarin e LDK-së që një kryetar përballet me një kërkesë të njëanshme për shkarkim.
Ai vlerësoi se procesi është i dëmshëm për partinë dhe rrezikon të thellojë përçarjet, duke shtuar se nuk ishte as koha, as vendi dhe as mënyra e duhur për një zhvillim të tillë. Megjithatë, kreu i LDK-së tha se do të hyjë në Kuvend “me bindje, qetësi dhe besim të plotë” te delegatët dhe anëtarësia e partisë.
Në fund të mesazhit të tij, Abdixhiku u bëri thirrje delegatëve të marrin pjesë në Kuvend, duke theksuar se ai mund të shndërrohet në një moment që i jep LDK-së qartësinë e nevojshme. “Të enjten, më 30 korrik, përcaktojmë LDK-në. Pas saj, le të përcaktojmë Republikën”, përfundoi Abdixhiku.