Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë duke zhvilluar kontakte të rëndësishme dhe të avancuara me Iranin, në përpjekje për të arritur një zgjidhje politike të krizës.
Megjithatë, ai theksoi se durimi i administratës amerikane nuk është i pakufizuar, duke paralajmëruar se nëse bisedimet diplomatike nuk sjellin rezultatet e dëshiruara, Uashingtoni është i gatshëm të ndërmarrë sulme ushtarake në shkallë të gjerë. I pyetur nga faqja Axios se sa kohë ishte i gatshëm t’u jepte negociatave, Trump u përgjigj prerazi: “Nuk ka shumë kohë.
Ose do të ecin shpejt, ose aspak.” Deklarata e presidentit amerikan vjen në një moment tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, ndërsa SHBA-ja po përpiqet të kombinojë presionin diplomatik me paralajmërimet për përdorimin e forcës ushtarake nëse nuk arrihet një marrëveshje me Teheranin.
