Eksperti i sigurisë, Avni Islami, ka reaguar ndaj deklaratave të drejtorit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, duke i cilësuar ato si vazhdimësi të propagandës dhe luftës hibride të Serbisë kundër institucioneve të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Islami tha se pretendimet e Petkoviqit se pjesëtarët e Policisë së Kosovës synonin të krijonin një “Gazimestan të ri” gjatë kremtimit të festës në Manastirin e Kryeëngjëllit të Shenjtë në Prizren janë pjesë e narrativës së njohur të Beogradit. “Vazhdon lufta hibride dhe propaganda e Serbisë kundër institucioneve të Kosovës.
I ashtuquajturi Drejtor i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, paska deklaruar se kinse pjesëtarët e Policisë së Kosovës dëshironin një ‘Gazimestan të ri’ dhe synonin të provokonin situatën gjatë kremtimit të festës në Manastirin e Kryeëngjëllit të Shenjtë në Prizren”, ka shkruar Islami.
Sipas tij, deklarata të tilla synojnë të krijojnë përshtypjen se institucionet e Kosovës ushtrojnë presion ndaj komunitetit serb dhe kufizojnë të drejtat e tij. “Kjo deklaratë është vetëm vazhdimësi e narrativës së njohur të Beogradit, sipas së cilës institucionet tona ushtrojnë ‘presion sistematik’ ndaj komunitetit serb dhe cenojnë të drejtat e tyre fetare, civile dhe mediale.
Nuk ka dyshim se shteti serb asnjëherë nuk e ka ndarë pushtetin nga kisha, duke e shfrytëzuar atë hapur për qëllime politike”, është shprehur ai. Islami ka theksuar se, sipas tij, përmes këtyre deklaratave Serbia synon të paraqesë një realitet të rremë para faktorit ndërkombëtar.
“Përmes këtyre skenarëve, Beogradi tenton të konsolidojë mesazhin e rremë se në Kosovë po kufizohen liritë e serbëve, ndërsa organizimin paqësor të ceremonive fetare e paraqet si dëshmi të ‘unitetit dhe qëndrueshmërisë’ së tyre”, ka deklaruar ai. Ai ka vlerësuar se Policia e Kosovës kryen detyrat e saj në përputhje me ligjin dhe pa dallim ndaj qytetarëve.
“E vërteta është krejt ndryshe: Policia e Kosovës kujdeset çdo ditë për ruajtjen e rendit, ligjit, si dhe për jetën dhe pronën e çdo qytetari në Republikën e Kosovës, pa asnjë dallim”, ka theksuar Islami. Në fund, eksperti i sigurisë ka pretenduar se deklaratat e fundit të zyrtarëve serbë janë të koordinuara dhe përbëjnë pjesë të një strategjie propagandistike.
“Kohët e fundit po përballemi me një koordinim dhe sinkronizim të qartë të deklaratave agresive ndaj vendit tonë nga krerët serbë (Paunoviq, Vuçiq, Petkoviq etj.). Kjo është lufta hibride e Serbisë për të fituar terren, për të propaganduar para faktorit ndërkombëtar dhe për të luajtur rolin e viktimës.
Por, fuqia dhe stabiliteti ynë në aspektin e sigurisë mbeten të palëkundura”, ka përfunduar Islami.
