Mohamed Salah është pranë vendimit për të ardhmen e tij, ndërsa Besiktasi është në pritje të përgjigjes së yllit egjiptian pasi i ka paraqitur ofertën përfundimtare për kontratë. 34-vjeçar është lojtar i lirë këtë verë pas përfundimit të aventurës së tij në Liverpool, ku kaloi nëntë sezone të jashtëzakonshme.
Gjatë kësaj periudhe ai zhvilloi 442 ndeshje dhe shënoi 257 gola, duke u shndërruar në një nga futbollistët më të rëndësishëm në historinë e klubit anglez. Aktualisht, Salah po shqyrton ofertat që ka në tavolinë, ndërsa po pushon pas përfundimit të Kupës së Botës 2026 me kombëtaren e Egjiptit. Sipas raportimeve, Besiktasi mbetet destinacioni më i mundshëm për vazhdimin e karrierës së tij.
Presidenti i klubit turk, Serdal Adalı, konfirmoi se oferta përfundimtare i është dorëzuar lojtarit dhe përfaqësuesve të tij, ndërsa tani gjithçka varet nga vendimi i Salahut. “I kemi bërë të ditur Salahut dhe agjentit të tij se presim të na njoftojnë së shpejti për vendimin e tyre.
Që nga takimet e para kemi shqyrtuar çdo kërkesë për ndryshim apo përmirësim të ofertës, gjithmonë duke mbrojtur interesat e Besiktasit. Tani vendimi është në duart e lojtarit dhe presim përgjigjen e tij”, deklaroi Adalı. Raportimet bëjnë të ditur se Besiktasi është zgjedhja e parë e Salahut në këtë fazë, megjithëse egjiptiani ka marrë edhe oferta të tjera.
Mes klubeve të interesuara për të përmendet edhe skuadra amerikane Sporting Kansas City nga MLS.
