Babai i të dyshuarit për sulmin në Berlin: Dikush ia ka shpëlarë

0%

Babai i 21-vjeçarit Abdul Ballout, i cili dyshohet se ka përplasur qëllimisht një furgon në një turmë njerëzish në Paradën e Krenarisë në Berlin, foli për gazetën gjermane Der Spiege l disa orë para vdekjes së të birit. Sulmi vrau një grua dhe plagosi 29 të tjera. I dyshuari u vra dje gjatë një përpjekjeje për arrestim në një shtëpi në lagjen Spandau të Berlinit, kur policia hapi zjarr.

Babai i tij, Tawfik Ballout, me origjinë nga Libani jugor, i tha Spiegel se kishte folur me Abdulin në telefon vetëm disa orë para sulmit. “Ai më telefonoi dhe folëm mjaft normalisht, si çdo ditë. Më tha se i mungonim dhe se do të donte të ishte me ne në Liban tani”, tha babai. Abdul Ballout jetonte me nënën dhe dy nga tre motrat e tij në një pallat pranë Kanalit Landwehr në Berlin.

Prindërit e tij ishin të divorcuar dhe babai i tij udhëtonte në Liban një herë në vit për të vizituar të afërmit. Sipas babait të tij, Abduli përfundoi dhjetë klasa shkolle, pas së cilës punoi në punë të ndryshme, “për shembull si roje sigurie ose shofer”, por kurrë nuk pati një punë të përhershme.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ai i kalonte ditët duke fjetur dhe netët para telefonit ose televizorit, duke u zgjuar vetëm vonë pasdite. Tawfik Ballout tha se vajzat e tij mbajnë hixhab, por “nuk janë jashtëzakonisht fetare”. “Ne jemi shiite. Ne nuk e mbështesim Shtetin Islamik”, theksoi ai, duke shtuar se djali i tij “i donte sunitët”. Sipas hetuesve, Abdul Ballout u radikalizua.

Zyra e prokurorit publik të Berlinit pretendon se ai u përpoq të bashkohej me Shtetin Islamik disa herë vitin e kaluar. Në maj të vitit 2025, ai udhëtoi për në Liban me qëllim që të shkonte prej andej në Siri dhe t’i bashkohej atij grupi terrorist. Ai dështoi në këtë dhe përfundoi në paraburgim, pas të cilit u dënua me një dënim për të mitur në Berlin.

Ai u arrestua në Liban në korrik 2025 dhe u dënua me tre muaj burg për nxitje të konfliktit fetar dhe sektar. Në nëntor 2025, ai u kthye në Gjermani, ku u arrestua në Aeroportin e Brandenburgut në Berlin dhe u mbajt në paraburgim. Në maj të këtij viti, ai u dënua me një vit e dhjetë muaj burg për përgatitjen e një krimi të rëndë të dhunshëm që rrezikon shtetin.

Ekzekutimi i dënimit u shty për gjashtë muaj dhe ai u vu nën mbikëqyrjen e një oficeri të lirimit me kusht. Ai ishte dënuar edhe më parë për sulm dhe grabitje në vitin 2022, si dhe për grabitje në të cilën i vodhi kufjet viktimës në vitin 2020. Babai pohon se pak kohë më parë e pyeti të birin se çfarë mendonte për Shtetin Islamik.

“Ai me siguroi se mendonte që grupi terrorist ishte i keq”, vuri në dukje ai. Babai pretendon se nuk e lejoi të birin të mbante mjekër të gjatë sepse e konsideronte atë një shenjë të mundshme radikalizimi. “Unë nuk e lejova të mbante mjekër të gjatë”, tha ai. Tawfik Ballout e përshkroi të birin si “bujar, të ndjeshëm dhe të dashur”, me “zemrën e një fëmije”.

Kur u pyet se si mund ta kishte kryer një krim të tillë, ai tha se kishte vetëm një shpjegim. “Dikush ia ka shpëlarë trurin”, është i bindur ai.

Burimi: Telegrafi