Tetë persona, përfshirë gjashtë fëmijë, u gjetën të pajetë brenda një banese në shtetin amerikan të Michiganit, pasi ekipet e emergjencës ndërhynë për të shuar një zjarr në shtëpi. Sipas autoriteteve, disa prej viktimave kishin plagë të shkaktuara nga armë zjarri.
Kapiteni i Zyrës së Sherifit të Qarkut Ottawa, Jake Sparks, e cilësoi ngjarjen si “jashtëzakonisht të ndërlikuar”, duke theksuar se hetimet janë ende në fazën fillestare, raporton ABC News . Ngjarja ndodhi të premten në Grand Haven Township, një zonë pranë brigjeve të Liqenit Michigan, në perëndim të qytetit Grand Rapids.
Sipas autoriteteve, zjarrfikësit u thirrën fillimisht në mëngjes pas raportimeve për erë tymi, por nuk arritën të lokalizonin burimin e zjarrit. Disa orë më vonë, pas njoftimeve për tym të bardhë që dilte nga një banesë, ekipet u rikthyen në vendngjarje dhe hynë në shtëpi për të shuar flakët. Gjatë ndërhyrjes, ata zbuluan trupat e pajetë të tetë personave.
Mes viktimave janë gjashtë fëmijë, të moshës nga 5 deri në 15 vjeç, si dhe dy të rritur. Autoritetet besojnë se të gjithë viktimat janë pjesëtarë të së njëjtës familje, ndërsa identifikimi i plotë i tyre ende nuk ka përfunduar. Hetuesit kanë konfirmuar se disa nga viktimat kishin plagë nga armë zjarri, por ende nuk është përcaktuar se sa persona janë qëlluar.
Shkaqet e sakta të vdekjes pritet të sqarohen pas autopsive. Autoritetet po hetojnë mundësinë që zjarri të jetë vendosur qëllimisht dhe se bëhet fjalë për një rast të mundshëm vrasje-vetëvrasjeje.
