Çaykur Rizespor ka bërë lëvizjen e parë për transferimin e Milot Rashicës, duke i dërguar një ofertë zyrtare Besiktasit për huazimin e sulmuesit kosovar. Sipas raportimeve nga mediat turke, drejtuesit e Rizesporit e kanë vendosur Rashicën në krye të listës së dëshirave për këtë merkato dhe e konsiderojnë atë si objektivin kryesor për të përforcuar repartin ofensiv.
Tashmë klubi pret përgjigjen e Besiktasit, i cili do të vendosë nëse do ta lejojë largimin e 30-vjeçarit në formë huazimi. Forma dhe përvoja e Rashicës në futbollin turk e kanë bërë atë objektivin numër një të Rizesporit, që synon të rrisë cilësinë në fazën sulmuese për sezonin e ri.
Megjithatë, drejtuesit e klubit kanë përgatitur edhe një plan rezervë në rast se nuk arrijnë marrëveshje me Beşiktaşin. Sipas mediumit turk Takagazete , alternativa e parë është rikthimi i Jesurun Rak-Sakyi, i cili luajti sezonin e kaluar te Rizespori si i huazuar nga Crystal Palace FC.
Milot Rashica është pjesë e Besiktasit dhe ka kontratë me klubin nga Stambolli deri në verën e vitit 2027. Në anën tjetër, pjesë e Rizesporit është edhe mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë, Qazim Laçi.
