Zjarrfikësit francezë po luftojnë për të vënë nën kontroll zjarret masive që po përparojnë pranë qytetit të Bordeaux, ndërsa dhjetëra mijëra banorë janë detyruar të evakuohen nga zonat e rrezikuara. Kryetari i bashkisë së Bordeaux, Thomas Cazenave, deklaroi të dielën se fronti i zjarrit ndodhet rreth 15 kilometra nga periferia e qytetit dhe 25–30 kilometra nga qendra e tij.
Megjithatë, ai minimizoi mundësinë e një evakuimi të qytetit, duke theksuar se autoritetet po monitorojnë situatën nga afër. Gjatë natës së së dielës, rreth 55 mijë banorë u evakuuan nga fshatrat në jug të Bordeaux, në rajonin e Girondës, i njohur për vreshtat e tij.
Në total, më shumë se 220 mijë persona janë larguar nga shtëpitë e tyre në jugperëndim të Francës për shkak të përhapjes së flakëve. Zjarret kanë goditur pjesë të mëdha të Evropës gjatë javës së fundit, veçanërisht Francën dhe Spanjën, ku mbi 330 mijë njerëz janë evakuuar.
Jugperëndimi i Francës mbetet ndër zonat më të prekura, me rreth 42 mijë hektarë sipërfaqe të djegur, duke e bërë këtë një nga zjarret pyjore më të mëdha që nga Lufta e Dytë Botërore. Që nga fillimi i vitit, flakët kanë shkrumbuar rreth 98 mijë hektarë në të gjithë territorin francez.
Kapiteni Nicolas Braz, një nga drejtuesit e operacionit të shuarjes së zjarreve, tha se flakët kanë krijuar “erërat e veta, të shoqëruara edhe me vorbulla”, duke e bërë situatën “të paparashikueshme dhe të pakontrollueshme”.
Edhe ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunez, paralajmëroi se situata mbetet “shumë e pafavorshme”, ndërsa zjarri po lëviz në mënyrë të çrregullt drejt zonës metropolitane të Bordeaux.
