Shpërndaje në: Gjatë korrikut kanë ndodhur më shumë aksidente me fatalitet sesa mesatarja e gjashtë muajve të parë të vitit. Ekspertë të komunikacionit thonë se kjo është pasojë e shtimit të numrit të automjeteve në rrugë, si dhe e ahengjeve që organizohen gjatë verës.
Ata i bënë thirrje policisë për më shumë masa parandaluese, e policia apeloi te ngasësit për kujdes më të madh Ilirjana Thaqi 8 persona kanë humbur jetën gjatë korrikut në aksidente trafiku vetëm në Kosovë, tregojnë raportet e Policisë. Fat të njëjtë kanë pasur edhe tre shtetas, të aksidentuar afër kufirit, në pjesën e Maqedonisë së Veriut.
Aksidentet me fatalitet janë mbi mesataren e gjashtë muajve të parë të vitit, gjatë të cilëve 46 persona vdiqën. Njohësi i komunikacionit, Nol Dedaj, thotë se rritja e numrit të automjeteve në komunikacion me ardhjen e mërgatës, është përcjellë edhe me shtim të aksidenteve. “Rreth 50 mijë automjete janë më shumë se në muajt e kaluar.
Faktorë tjerë janë edhe ahengjet e shumta gjatë kësaj periudhe, që e rrisin mundësinë dhe probabilitetin për të ndodhur aksidente. Ne e kemi edhe faktorin aktiv të sigurisë në komunikacionin rrugor, që nënkupton faktorin njeri, i cili është ndër shkaktarët kryesorë të aksidenteve”, ka thënë Dedaj.
E profesori i trafikut, Visar Buxhuku, thotë se mungojnë masat për mbikëqyrjen e sigurisë në trafik. “Nëse e shohim hartën e shpërndarjes së aksidenteve, asnjë kategori rrugësh nuk është e përjashtuar. Ka raste me vdekje në zona urbane, në rrugë nacionale dhe në autostrada.
E masat mungojnë, sepse ndarja e obligimeve ndërmjet institucioneve nuk është as e barabartë, e as e drejtë”, ka thënë ai. Në Polici kanë thënë se janë ndërmarrë masa parandaluese për uljen e numrit të aksidenteve, dhe kanë bërë thirrje për më shumë kujdes nga ngasësit.
“Apelojmë te pjesëmarrësit në trafik, në veçanti te ngasësit e automjeteve, që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të përqendrohen gjatë ngasjes. Policia, për të parandaluar aksidentet në trafik, në vazhdimësi analizon të dhënat për sigurinë rrugore, harton plane operative dhe zhvillon fushata vetëdijesuese”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Sipas statistikave të Policisë, trendi i aksidenteve ka qenë në rritje vitin e kaluar. Nga 22 mijë e 604 aksidente dhe 97 viktima në vitin 2024, numri u rrit në 24 mijë e 150 aksidente dhe 111 viktima gjatë vitit 2025.
