Shtetet e Bashkuara kanë konsumuar një pjesë të konsiderueshme të rezervave të municioneve precize gjatë luftës me Iranin, duke ngritur shqetësime për aftësinë e ushtrisë amerikane që t’i përballojë konfliktet e mundshme në të ardhmen.
Një analizë e bazuar në të dhënat e Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare – CSIS dhe raportimet e mediave amerikane tregon se më së shumti janë prekur rezervat e raketave interceptuese të mbrojtjes ajrore.
Sipas vlerësimeve, forcat amerikane kanë përdorur ndërmjet 190 dhe 290 raketa THAAD, që mund të përbëjnë deri në 80 për qind të rezervave që SHBA-ja kishte para nisjes së konfliktit.
Gjithashtu, vlerësohet se janë lëshuar ndërmjet 130 dhe 250 raketa SM-3, ose më shumë se gjysma e stokut të paraluftës, si dhe 1 mijë e 60 deri në 1 mijë e 430 raketa Patriot, që përfaqësojnë deri në 61 për qind të rezervave të disponueshme.
Rezervat e sakta të municioneve amerikane janë të klasifikuara, ndaj shifrat janë përllogaritje të bazuara në dokumentet buxhetore të Pentagonit, të dhënat për prodhimin dhe raportimet publike. CSIS vlerëson se katër prej shtatë llojeve kryesore të municioneve mund të jenë konsumuar në masën mbi 50 për qind. Konsum të madh kanë pësuar edhe armët me rreze të gjatë veprimi.
Sipas analizës, SHBA-ja ka përdorur më shumë se 1 mijë raketa Tomahawk dhe rreth 1 mijë e 100 raketa JASSM. Pothuajse i gjithë stoku i raketave PrSM dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit. Nga rreth 90 raketa që vlerësohet se ishin në dispozicion, janë lëshuar ndërmjet 40 dhe 70, ndërsa një zyrtar ushtarak ka pretenduar se i gjithë inventari është konsumuar.
Ekspertja e mbrojtjes Kelly Grieco ka paralajmëruar se konflikti është shndërruar në një luftë konsumi, ku pyetja kryesore është nëse mbrojtësit do të mbeten pa raketa interceptuese përpara se Irani të mbetet pa raketa ose pa aftësinë për t’i lëshuar ato. Prodhimi i raketave të avancuara kërkon kohë dhe nuk mund të rritet menjëherë.
Sipas CSIS-it, Shteteve të Bashkuara mund t’u duhen të paktën tri vjet për t’i rikthyer në nivelet e paraluftës rezervat e raketave Tomahawk, THAAD dhe Patriot. Për raketat SM-3 dhe SM-6 mund të duhen rreth dy vjet. Vetëm zëvendësimi i më shumë se 1 mijë raketave Tomahawk mund të zgjasë deri në fund të vitit 2030, ndërsa rezervat e THAAD dhe Patriot pritet të rikuperohen gjatë vitit 2029.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!