Kryeministri i ri britanik, Andy Burnham, ka deklaruar se është i gatshëm ta kundërshtojë publikisht presidentin amerikan Donald Trump, në rast se një gjë e tillë është e nevojshme për mbrojtjen e interesave të Britanisë së Madhe. Në intervistën e tij të parë të madhe që nga marrja e detyrës, Burnham tha se biseda e parë me Trumpin kishte qenë pozitive dhe e ngrohtë.
Megjithatë, ai shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë kur u pyet nëse i besonte presidentit amerikan. Burnham theksoi se nuk do të hezitonte të shprehte një qëndrim të ndryshëm nga ai i Trumpit, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje që prekin drejtpërdrejt Britaninë. “Çdo udhëheqës duhet ta mbrojë interesin kombëtar para çdo gjëje tjetër.
Kjo është ajo që kërkohet për ta kryer siç duhet këtë detyrë”, deklaroi ai. Kryeministri britanik shprehu gjithashtu shqetësimin e tij lidhur me ofensivën amerikane ndaj Iranit, duke theksuar se Britania nuk do t’i mbështesë veprimet sulmuese dhe se ai do ta thotë hapur atë që e konsideron të drejtë për vendin. Gjatë intervistës, Burnham foli edhe për shpenzimet e mbrojtjes.
Ai konfirmoi se Britania do t’i respektojë zotimet ndaj NATO-s për ta rritur buxhetin e mbrojtjes në 3.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035, por nuk dha një afat për arritjen e nivelit prej 3 për qind.
Sipas tij, prioriteti i parë i qeverisë është që plani i investimeve në mbrojtje të financohet plotësisht, ndërsa hollësitë pritet të përpunohen para miratimit të buxhetit të ardhshëm. Burnham hodhi poshtë edhe mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare para vitit 2029. “Nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme.
Nuk mendoj se njerëzit i duan ato”, tha ai, duke shtuar se fokusi i qeverisë do të jetë rikthimi i vendit në drejtimin e duhur. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
