Struga Trim Lum e ka nisur me fitore bindëse sezonin e ri në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, duke e mposhtur debutuesin Shkëndija e Haraçinës me rezultat 3:0 në shtëpi. Ekipi nga Struga e vulosi praktikisht fitoren brenda pjesës së parë. Në minutën e 23-të, Radeski realizoi nga afërsia për 1:0, ndërsa në minutën e 44-të Agamah dyfishoi epërsinë.
Dominimi i vendasve vazhdoi edhe në pjesën e dytë. Në minutën e 52-të, Shabani shënoi nga pika e bardhë për rezultatin përfundimtar 3:0. Shkëndija e Haraçinës pati disa raste për shënim, por portieri i Strugës, Jovaçevski, u tregua i sigurt dhe i ndali tentativat e mysafirëve.
Në xhiron e dytë, e cila zhvillohet më 8 gusht, Struga do të luajë në transfertë ndaj Skopjes, ndërsa Shkëndija e Haraçinës do të ketë një tjetër sfidë të vështirë, pasi në fushën e saj do ta presë Sileksin.
