Sipas “Corriere dello Sport”, Thiago Motta ishte një nga kandidatët që u kontaktua për postin e trajnerit të Italisë, por e refuzoi ofertën. Ndërkohë, klubet e Serie A kundërshtuan emërimin e mundshëm të Silvio Baldinit.
Italia pritet të emërojë Andrea Pirlon si trajnerin e ri të kombëtares, por nuk është sekret se ish-mesfushori nuk ishte ndër zgjedhjet kryesore të Paolo Maldinit dhe Leonardos. Dyshja zhvilloi bisedime me Carlo Ancelottin dhe Pep Guardiolën, të cilët nuk u treguan të gatshëm ta merrnin drejtimin e “Azzurrëve”.
Sipas “Corriere dello Sport”, edhe Thiago Motta u kontaktua dhe iu prezantua mundësia për të marrë postin. Raporti thotë se Motta e refuzoi ofertën me mirësjellje, duke bërë që Maldini dhe Leonardo të vazhdonin me opsionin e Andrea Pirlos.
Trajneri i Italisë U21, Silvio Baldini, e drejtoi përkohësisht kombëtaren A në ndeshjet miqësore të qershorit kundër Luksemburgut dhe Greqisë, por ai nuk u konsiderua kurrë një kandidat real për postin e përhershëm.
Sipas “Corriere dello Sport”, kandidatura e Baldinit u kundërshtua nga klubet e Serie A, të cilat nuk i pritën mirë deklaratat e tij për mënyrën se si drejtohet futbolli italian. Jo shumë kohë më parë, Baldini i kishte quajtur presidentët e klubeve të Serie A “mashtrues”, duke i akuzuar se janë të kapur nga interesa të ngushta dhe ndikimi i agjentëve.
