Trepça e Mitrovicës është skuadra e parë në histori të futbollit të Kosovës, e cila e para hyri në Ligën e Parë të ish Jugosllavisë, ku qëndroi vetëm një edicion (1977-1978, bie nga liga). Po ashtu është skuadra e parë nga Kosova që luajti në finalen e Kupës së ish Jugosllavisë siç quhet atëkohë “Kupa Marshall Tito”. Golin e fitores e shënoi sulmuesi Radoviq, në minutën e 91-të.
Referoi Radmillo Ristiq i Beogradit në prani të afro 30.000 shikuesve. Rijeka – Trepça 0:0 – 1:0 pas 120 minutave Rijeka: Avramoviq, Makin, Hërstiq, Cukrov, Radin, Juriçiq, Durkaliq, Radoviq (Shestan), Kustudiq, Ruzhig dhe Desnica.
Trepça: Mutibariq, Lilak, Fikret Gërboviq, Rafet Prekazi, Erdogan Celina, Miletoviq, Radojeviq (Adnan Zeqiri), Ramadan Cimili (Vahedin Ajeti), Stoliq, Fisnik Ademi dhe Savoviq. Trajnerë: Ajet Shosholli dhe Hysni Maxhuni. “Në finalen jubilare Rijeka u konsiderua favorite, sepse sivjet ajo vërtet tregoi formë të mirë dhe sukses në kampionatin shtetëror.
Mirëpo, sot para nja 30.000 shikuesve edhe futbollistët e Trepçës, të cilët u përshëndetën nga shoqëria elite e futbollit, jo vetëm që i bënë rezistencë të denjë gjatë 120 minutave, por treguan aftësi, që me pak fat sportiv kanë mundur edhe të ngadhënjejnë.
Ishte e qartë se futbollistët e Trepçës kishin bërë përgatitje të jashtëzakonshme dhe shkrinë tërë energjinë për ta fituar trofeun më të çmueshëm, Kupën e ‘Marshallit Tito”. Mirëpo, edhe sot, si shumë herë, nuk u treguan efikas. Meqë loja në kohë të rregullt u mbyll me rezultat 0:0 sipas rregullave, u desh të luhet edhe loja shtesë, në të cilën rijekasit shfrytëzuan rastin dhe fituan.
Posa topi u nis nga qendra nga ana e lojtarëve të Rijekës, aksioni përfundoi me sukses. Radoviqi shfrytëzoi pakujdesinë e mbrojtjes së rreshtuar dhe pasi u fut në zonën e rreptësisë gjuajti me kohë, preciz dhe mposhti portierin Mutibariq”, ka shkruar mes të tjera gazetari Mustafë Lecaj me 25 maj të vitit 1978.
Sipas gazetës “Rilindja” të datës 25 maj të vitit 1978,: “Pas avantazhit, Rijeka tërësisht u mbyll në fushën e vet me qëllim që ta ruajë përparësinë minimale. Deri në fund të ndeshjes futbollistët e Trepçës tentuan me të gjitha forcat që ta ndryshonin rezultatin, dominuan plotësisht në fushë dhe krijuan dy-tri raste të volitshme për shënim.
Sidomos në minutën e 99-të Ramadan Cimili ishte në pozitë ideale. I papenguar nga 5-6 metra nuk arriti ta plasojë topin në rrjetën e Avramoviqit. Gjuajtja e tij me të majtën ishte joprecize. Edhe tentimet e vazhdueshme të Trepçës në minutat e fundit ishin të kota. Pos sulmeve të vazhdueshme, Trepça nuk arriti kurrgjë të vlefshme.
Dhe, kështu, Kupa e ’Marshallit Tito’ do t’i stoliste vitrinat e klubit futbollistik të Rijekës, e cila me meritë fitoi”.
