Në rrugën “Gërmia”, në afërsi të hyrjes së Parkut të Gërmisë, qytetarët treguan se janë vendosur disa shtylla të reja, kabllot e të cilave kanë mbetur të varura dhe të shtrira në rrugë. Kjo mund të shkaktojë rrezik për kalimtarët që kalojnë aty, mirëpo ende nuk dihet nëse këto kabllo përçojnë tenergji elektrike.
Për këtë, qytetarët treguan se shpeshherë ndërrojnë anën e rrugës në mënyrë që të mos ndeshen me këto kabllo, ndërsa kritikuan edhe Komunën e Prishtinës për mosadresimin e këtij problemi. Qytetari, Fatmir Lahu tha se kjo mund të shkaktojë rrezik edhe për kalimtarët por edhe për biçiklistët që e frekuentojnë këtë rrugë.
“Kjo është pengesë bukur e madhe edhe nuk është që ka ndodhë dje, po kjo ka së paku përafërsisht 1 muaj që janë në atë gjendje, ndoshta edhe më shumë.
Nuk e di sa është e rrezikshme, a ka edhe rrymë në to, s’jam i sigurt, po veç që janë të shtrime në tokë i pengojnë edhe këmbësorët edhe neve që dalim me biçikleta edhe kalimtarët e rastit edhe gjithë ata.” “Shumë shpesh më ndodhë me ndërru anën mos me u ndeshë me to.
Bile kah vij prej së larti te poshtë, dal në anën e kundërt këndej për arsye se është shumë rrezik se mund të ngatërrohet edhe teli te biçikla edhe mund të shkaktohet katastrofë këtu. Larg qoftë me u rrëzu e me u lëndu e me pësu.”- tha ai. Ndërsa, qytetari, Fejzi Kadriu pretendoi se të gjitha punët që përfundohen nga Komuna e Prishtinës, përfundohen në mënyrë jo të rregullt.
“Pse janë në tokë nuk e di, ata të internetit kush i mirëmban mundet me u kujdesë. Pengesë është se mundesh mos me i pa, rrëzohet dikush e mundet me u vrajtë. Të gjitha punët që po bëhen, po bëhen në mënyrë jo të rregullt. Të na thojnë prishe shtëpinë e ndërto hajat. Edhe këto shtylla që i kanë ndërtu, kabllot kanë qenë shumë të mira, të bakrit e këta kanë vendosë kabllo të aluminit.
Domethënë vend që me ndërtu diçka mirë, këta veç kanë harxhu pare koti. Kështu që mua po më duket që as projekt s’dinë me bë, jo veç për shtylla po as për rrugë, as për kurgjo.” – u shpreh ai.
Lidhur me këtë çështje KALLXO.com ka kontaktuar Komunën e Prishtinës për të kërkuar sqarime se pse kabllot janë në këtë gjendje si dhe për të parë se cilët janë hapat e mëtejmë që do të ndërmerren për sanimin e kësaj gjendje. Mirëpo këta të fundit deri në momentin e publikimit të stories, nuk janë përgjigjur.
