Kryetari i Kamenicës, Kadri Rrahmija ka publikuar një shkrim me titull; “Kryetari i Kamenicës: E vërteta mund të vonojë, por asnjëherë nuk humb”. “Gjatë fushatës zgjedhore ndaj meje u bënë akuza të rënda, të njëpasnjëshme, të cilat nuk i ktheva me shpifje e as me gjuhë urrejtjeje.
Zgjodha rrugën që besoj se duhet ta zgjedhë çdo qytetar: në heshtje e pa zhurmë iu drejtova institucioneve të drejtësisë.
Sot, Gjykata Themelore ka marrë vendim, duke konstatuar se deklaratat e bëra ndaj meje kanë qenë shpifëse dhe ka vendosur kompensimin e dëmit, përgënjeshtrimin e deklaratave në mediat ku janë publikuar, si dhe pagesën e shpenzimeve procedurale.  Me këtë postim ne nuk i gëzohemi humbjes së dikujt.
Por po japim një mesazh se në Kamenicë dhe në Kosovë, debati politik duhet të mbështetet në fakte, jo në shpifje; në argumente, e jo në baltosje. Unë do të vazhdoj të merrem me punën që më kanë besuar qytetarët. Ata presin rezultate, jo konflikte. Drejtësia foli për këtë çështje, ndërsa ne do të vazhdojmë të flasim me punë.
Faleminderit secilit qytetar që besoi te e vërteta, ruajti qetësinë dhe nuk lejoi që gjuha e urrejtjes të bëhej standard i politikës sonë. Respekti fitohet me punë. Besimi ndërtohet me të vërtetën”.
