Rumania ka rrëzuar një tjetër dron që dyshohet se ishte rus, duke shënuar incidentin e dytë të tillë brenda më pak se 24 orësh. Presidenti rumun, Nicușor Dan, njoftoi se droni u interceptua nga një avion luftarak F-16 rreth orës të së shtunës, afër fshatit Sfântu Gheorghe në lindje të vendit.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, radarët kishin zbuluar më herët një dron që po operonte pranë kufirit me Ukrainën. Dy avionë F-16 u ngritën për ta identifikuar dhe neutralizuar objektivin, i cili u rrëzua në mënyrë të sigurt në një zonë të pabanuar pranë kufirit.
Ministri rumun i Mbrojtjes, Radu Miruță, tha se vendi i rrëzimit dhe mbetjet e dronit po analizohen, por theksoi se karakteristikat e tij përputhen me fluturimet e mëparshme të dronëve rusë. Një ditë më parë, një tjetër dron ishte rrëzuar nga një F-16 gjatë një misioni të patrullimit ajror. Autoritetet rumune konfirmuan se ai ishte i tipit Shahed , i përdorur nga forcat ruse.
Pas incidentit të së premtes, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përgëzoi ushtrinë rumune për reagimin e shpejtë dhe theksoi se forcimi i mbrojtjes në kufirin lindor të Bashkimit Evropian mbetet prioritet. Rumania ka regjistruar një rritje të incidenteve me dronë muajt e fundit.
Në maj, një dron rus me eksploziv u përplas në një ndërtesë banimi në Galați, duke plagosur dy persona, ndërsa në qershor një dron detar ukrainas shpërtheu në portin e Konstancës pasi, sipas Kievit, ishte devijuar nga ndërhyrjet elektronike ruse. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!