Asambleja e Përgjithshme e 125 shteteve anëtare të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJPN) votoi për shkarkimin e Karim Khan nga posti i kryeprokurorit, pas akuzave për sulm seksual të ngritura nga një anëtare e ekipit të tij, akuza që ai i mohon. Sipas burimeve diplomatike, 82 nga 125 shtetet anëtare votuan pro largimit të avokatit britanik 56-vjeçar nga detyra.
Khan dhe ekipi i tij ligjor e kanë kundërshtuar procesin, duke deklaruar se procedura që çoi në votim ishte e paligjshme, proceduralisht e padrejtë dhe e pambështetur në prova.
Shkarkimi i tij vjen në një periudhë kur Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar nisjen e një fushate të re diplomatike për shpërbërjen e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, duke e konsideruar atë një kërcënim për sovranitetin amerikan.
Muajin e kaluar, diplomatët që drejtojnë organin mbikëqyrës të GJPN-së arritën në përfundimin se Karim Khan kishte pasur një “marrëdhënie të papërshtatshme” me një avokate të re të gjykatës dhe rekomanduan shkarkimin e tij. Shtetet anëtare e mbështetën këtë rekomandim në votimin e zhvilluar në Kombet e Bashkuara.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara, të cilat nuk janë anëtare të GJPN-së, kanë vendosur sanksione ndaj 11 gjyqtarëve dhe prokurorëve të gjykatës, përfshirë Karim Khan, duke përmendur urdhër-arrestet ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, ish-ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant, si dhe hetimet e mëparshme për veprimet ushtarake amerikane në Afganistan.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, gjatë një vizite të fundit në Filipine, deklaroi se në GJPN ka “njerëz të çmendur” dhe u zotua se asnjë politikan apo ushtarak amerikan nuk do të gjykohet nga kjo gjykatë.
Gruaja që akuzoi Karim Khan foli publikisht për herë të parë javën e kaluar në një intervistë për CNN, ku përsëriti pretendimet se kishte pasur një marrëdhënie seksuale jo konsensuale me të.
Me shkarkimin e Khan nis menjëherë procesi për zgjedhjen e një kryeprokurori të ri të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, megjithëse emërimi i pasuesit të tij nuk pritet të përfundojë para vitit të ardhshëm. Pavarësisht largimit të tij nga detyra, urdhër-arrestet e lëshuara gjatë mandatit të Karim Khan mbeten në fuqi, pasi vetëm gjyqtarët e GJPN-së kanë kompetencën për t’i shfuqizuar ato.
Ndërkohë, Venezuela njoftoi zyrtarisht Kombet e Bashkuara për vendimin e saj “të pakthyeshëm” për t’u tërhequr nga Gjykata Ndërkombëtare Penale. Ministri i Jashtëm Felix Plasencia deklaroi se Karakasi e mori këtë vendim duke akuzuar gjykatën për “paragjykim gjeografik”, me pretendimin se ajo synon kryesisht vendet e Jugut, veçanërisht ato në Afrikë dhe Amerikën Latine.
