Shkëndija nga Tetova do ta nisë sezonin 2026/27 në elitën e futbollit vendor me dy ndeshje si vendas në terrenet e Kompleksit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut në Shkup.
KF Shkëndija njofton opinionin se dy ndeshjet e para si vendas në kampionatin e ri të Ligës së Parë për sezonin garues 2026/27 do t’i zhvillojë në terrenet e Kompleksit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut në Shkup.
Edhe pse për shkak të rikonstruktimit të stadiumit në Tetovë, klubi ka paraqitur stadiumin e Gostivarit si terren vendas për sezonin e ri, vendimi për zhvillimin e dy ndeshjeve të para në Shkup lidhet me masën disiplinore të shqiptuar pas finales së edicionit të kaluar të Kupës.
Fillimisht, Shkëndija u dënua me katër ndeshje pa praninë e publikut në cilësinë e vendasit, ndërsa pas procedurës ankimore ky dënim u reduktua në dy ndeshje. Për këtë arsye, klubi ka vendosur që këto dy takime t’i zhvillojë në Shkup ku edhe fusha e lojës është shumë më cilësore.
Sezoni i ri do të hapet të dielën, më 26 korrik, me përballjen ndaj Skopjes, që nis në orën , ndërsa edhe ndeshja e xhiros së tretë kundër Bregallnicës, e planifikuar për 15 gusht, do të luhet në të njëjtin stadium. Pas përfundimit të këtyre dy ndeshjeve, ë vazhdim Shkëndija do t’i zhvillojë takimet si vendas në stadiumin e Gostivarit, sipas planifikimit të bërë për sezonin e ri.
Ndërkohë, skuadra është rikthyer mbrëmjen e kaluar nga Sllovenia, ku u përball me NK Bravo në ndeshjen e parë të raundit të dytë eliminator të UEFA Conference League, dhe tashmë e ka fokusin plotësisht te sfida e së dielës kundër Skopjes, që shënon edhe nisjen e kampionatit të ri vendor.
