Borja Mayoral ka kritikuar ashpër ish-trajnerin e tij, José Mourinho, duke deklaruar se portugezi nuk di ta pranojë humbjen dhe se bënte komente të papërshtatshme në dhomat e zhveshjes, të cilat nuk pëlqeheshin as nga ai dhe as nga bashkëlojtarët e tij.
Sulmuesi i Getafes i bëri këto deklarata në një intervistë për gazetën spanjolle “Marca”, ku kujtoi periudhën kur punonte nën drejtimin e Mourinhos te Real Madridi. Edhe pse ishte shumë i ri në atë kohë, Mayoral pati mundësinë të stërvitej nën drejtimin e emrave si Zinedine Zidane dhe José Mourinho.
Ai theksoi se mësoi shumë nga trajneri portugez, por nuk e fshehu pakënaqësinë për disa nga sjelljet e tij. “Ajo që më pëlqente më shumë te Mourinho ishin stërvitjet e tij. Ishin shumë konkurruese dhe argëtuese. Edhe pse situata ime nuk ishte ideale, më pëlqente të punoja me të,” tha Mayoral.
Ai shtoi: “Me kalimin e kohës më befasoi edhe më shumë, përmes bisedave që kishte me mua dhe gjërave që më thoshte para disa ndeshjeve. E ndjeja se e vlerësonte punën time. Më kujtohet se një herë më tha se e meritoja të luaja më herët dhe më lavdëroi shumë edhe në një konferencë për shtyp. Nuk do ta harroj kurrë këtë”.
Mayoral vazhdoi: “Ai ishte shumë miqësor dhe bisedonte shpesh me spanjollët, si Gonzalo Villar dhe Carles Pérez, për kohën e tij te Real Madridi. Duke qenë se jam natyrë kureshtare, e shfrytëzoja rastin për ta pyetur shumë për atë periudhë”. Megjithatë, në fund ai e kritikoi hapur ish-trajnerin. “Ajo që më bezdis më shumë te Mourinho është se nuk e pranon humbjen.
Ai bënte komente të këqija në dhomat e zhveshjes që nuk më pëlqenin. Nuk ishin të drejtuara vetëm ndaj meje, por edhe ndaj bashkëlojtarëve të mi. E kuptoj që është një njeri shumë konkurrues dhe se në momente zemërimi mund të themi gjëra që nuk i mendojmë, por respekti duhet të jetë gjithmonë në vend të parë,” përfundoi Mayoral.
