Zbuloni një mënyrë të thjeshtë për t’i pastruar dhe freskuar jastëkët dhe jorganët pa i futur në rrobalarëse Shumica e njerëzve i lajnë rregullisht këllëfët e jastëkëve dhe çarçafët, por shpesh harrojnë jastëkët dhe jorganët.
Edhe pse mbrohen me mbulesa, me kalimin e kohës në ta grumbullohen pluhuri, qelizat e vdekura të lëkurës, djersa dhe papastërti të tjera, të cilat mund të ndikojnë në higjienë dhe në cilësinë e gjumit. Ekspertët rekomandojnë që jastëkët dhe jorganët të pastrohen të paktën një herë në tre muaj.
Kur nuk mund të futen në rrobalarëse, ekzistojnë disa mënyra të thjeshta për t’i freskuar dhe pastruar në shtëpi. Si ta freskoni jorganin pa e larë në rrobalarëse Jorganët e mëdhenj shpesh nuk zënë në rrobalarëset standarde, por kjo nuk do të thotë se nuk mund t’i freskoni. Ekspertja e pastrimit, Lynsey Crombie, këshillon që jorganin ta varni jashtë në një ditë me diell dhe erë.
“Ajrosja e jorganit në ambient të hapur është një mënyrë shumë më e lehtë, më e shpejtë dhe më natyrale për ta freskuar sesa larja në rrobalarëse. Nxehtësia e diellit ndihmon që mbushja të bëhet përsëri e butë dhe e ajrosur, ndërsa era e freskon edhe më shumë pëlhurën”, shpjegon ajo.
Rrezet ultravjollcë të diellit veprojnë si dezinfektues natyral, ndihmojnë në largimin e aromave të pakëndshme dhe mund t’i zbusin disa njolla. Për një rezultat edhe më të mirë, jorganin mund ta spërkatni lehtë me freskues për tekstile, përpara se ta lini për disa orë në ajër të pastër, transmeton Telegrafi.
Si t’i hiqni njollat e verdha nga jastëkët Njollat e verdha në jastëkë zakonisht krijohen nga djersa, yndyrat natyrale të lëkurës, kremrat e fytyrës dhe produktet për flokët. Lynsey Crombie rekomandon përdorimin e peroksidit të hidrogjenit, i cili ka veprim dezinfektues dhe ndihmon në shpërbërjen e njollave organike. Procedura Spërkatini mirë njollat me peroksid hidrogjeni.
Lëreni të veprojë për të paktën 15 minuta. Fërkojini butësisht pjesët e ndotura me një furçë pak më të fortë. Shpëlajini me ujë. Në rast se keni tharëse rrobash, thajeni jastëkun në të, në mënyrë që të bëhet sërish i butë dhe i ajrosur. Në rast se e thani në mënyrë natyrale, vendoseni mbi një sipërfaqe të rrafshët dhe kthejeni herë pas here, që të thahet në mënyrë të barabartë.
Në këtë mënyrë, jastëkët do të jenë më të freskët, më të pastër dhe më të këndshëm për gjumë, pa pasur nevojë për pastrim të kushtueshëm kimik.
