Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të mbahet më 6 gusht. Kështu ka bërë të ditur ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, në konferencën e sotme për media. Ajo i bëri thirrje partive parlamentare që të arrijnë një marrëveshje për formimin e të gjitha institucioneve, derisa shtoi se pret që ditëve në vijim do të intensifikohet komunikimi për këtë gjë.
Haxhiu: Seanca konstituive e Kuvendit më 6 gusht “Sot kam vendosur që seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të mbahet më 6 gusht, në orën , ditën e enjte. Deri atëherë mbetet detyrim politik dhe institucional i subjekteve parlamentare të vazhdojnë dialogun. Dialogun ndërmjet tyre askush nuk duhet ta shohë si një shenjë dobësie, por si dëshmi të përgjegjësisë demokratike.
Në një demokraci parlamentare përgjegjësia për ndërtimin e institucioneve nuk është ekskluzivitet i dikujt, por i takon të gjithëve. Marrëveshja kërkon gatishmëri dhe seriozitet nga të gjitha palët. Thirrjeve dhe ofertave duhet t’u përgjigjen me seriozitet të lartë. Dialogu nuk mund të jetë një proces njëkahësh dhe as përgjegjësia nuk mund të jetë e njëanshme.
Prandaj, në ditët në vijim duhet të intensifikohet komunikimi dhe pjekuria politike, pasi qytetarët nga ne presin zgjidhje dhe institucione funksionale”, tha ajo. Haxhiu tregoi edhe arsyet se pse nuk e ka thirrur deri tani seancën konstituive të Kuvendit.
Këto janë arsyet pse Haxhiu nuk e ka ftuar deri tani seancën konstituive “Për shkak të kësaj lidhjeje kushtetuese ndërmjet konstituimit të Kuvendit dhe procedurës së zgjedhjes së presidentit kam vlerësuar me kujdes çdo hap që është ndërmarrë gjatë këtyre javëve.
Kam mirëpritur ftesat për takime të kryeministrit dhe kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, dhe kam ndjekur nga afër përpjekjet për të arritur një marrëveshje. Siç e dini, deri tani janë mbajtur dy takime, një me PDK-në dhe një me LDK-në, kurse Aleanca nuk është përgjigjur ftesës për takim.
Duke qenë se ende nuk ekziston një dakordim politik për çështjen e presidentit, kam vendosur që menjëherë pas certifikimit të mos e thërras me ngut seancën konstituive, por të shfrytëzoj afatin që lejon Kushtetuta për t’u krijuar partive politike hapësirën e nevojshme për dialog dhe ndërtimin e një konsensusi”, shtoi Haxhiu.
Ajo foli edhe për mungesën e takimeve politike ndërmjet partive, teksa theksoi se po pritet tërheqja e vendimit të LDK-së për pezullim të negociatave. Sipas saj, takimi i parë i kreyetarit të Vvetëvendosjes, Albin Kurti me Lumir Abdixhikun dhe Vjosa Osmanin, ka qenë më ndryshe sesa takimet e kaluara sa i përket çështjes së presidentit.
Haxhiu për “marrëveshjen” me LDK-në: Takimi i parë ka qenë më ndryshe “Kanë qenë vetëm dy takime, siç e përmenda. PDK-ja, përmes zotërit Hamza, ka dhënë qëndrimet sa i përket vijimësisë së këtij procesi, ndërkaq LDK-ja i ka pezulluar diskutimet për shkak të problemeve të brendshme.
Natyrisht nuk merrem me problemet e brendshme të partive politike, por duhet të kemi parasysh se kemi afate kushtetuese dhe duhet të veprojmë.
Prandaj nuk e kemi mirëpritur vendimin për pezullim të këtyre takimeve, pasi megjithatë nga takimi i parë që ka pasur duket se ka qenë më ndryshe sesa takimet e proceseve të kaluara në përpjekjet e kaluara për të pasur një marrëveshje për presidentin. Nuk e di se kur do të hiqet vendimi për pezullim të këtyre takimeve, pasi është e rëndësishme që kjo të ndodhë sa më parë” , theksoi ajo.
Sipas saj, LVV-ja nuk është e interesuar për zgjedhje të reja, andaj u bëri thirrje partive parlamentare që të arrijnë një zgjidhje për çështjen e presidentit. Ajo nënvizoi se LVV-ja i ka numrat për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë.
Haxhiu: LVV i ka numrat për Kuvend e Qeveri, të gjejmë një zgjidhje për presidentin “Spekulimeve që po planifikojnë një raund të ri zgjedhor unë do t’i përgjigjesha me ftesën e tyre për takime serioze dhe për diskutime se si të tejkalojmë situatën aktuale. Është e vërtetë se LVV-ja i ka numrat për Kuvend dhe Qeveri.
Por mos i harroni akuzat që na bënin partitë politike në të kaluarën se pse u ngutët me konstituim dhe qeveri. Kjo ka qenë arsyeja që kam konsideruar se nëse ngutemi thonë pse u ngute, nëse nuk ngutem pse nuk u ngute. Asnjëherë nuk u bie taman”, shtoi ajo. Haxhiu nuk tregoi nëse ajo personalisht do të jetë kandidate e LVV për kryetare të Kuvendit.
A do të jetë kandidate e LVV-së për kryetare të Kuvendit? Kjo është përgjigjja e Haxhiut “Sa i përket asaj se a do të jem unë kandidate për kryetare të Kuvendit, kjo i takon fituesit, LVV-së. Është në përgjegjësinë e tyre se kush do të jetë kandidati apo kandidatja për kryetar të Kuvendit.
Seanca konstituive është caktuar më 6 gusht dhe aty do të dihet se kush do të jetë kandidati nga LVV-ja”, potencoi ajo.
