Në përvjetorin e ndarjes nga jeta, me respekt të thellë kujtoj zonjën Nekibe Kelmendi, një grua të rrallë të Kosovës, e cila përjetoi dhimbje të mëdha personale, por kurrë nuk u dorëzua përballë padrejtësisë. Nekibe Kelmendi nuk ishte vetëm juriste, avokate dhe veprimtare e shquar. Ajo ishte një simbol i qëndresës njerëzore dhe kombëtare.
Edhe pasi regjimi gjenocidal serb ia mori më të dashurit e saj, ajo dhimbjen e shndërroi në forcë dhe vazhdoi të qëndrojë në shërbim të Kosovës, me dinjitet, guxim dhe përkushtim. Kam pasur nderin ta njoh nga afër.
Ajo vinte shpesh në Zvicër dhe konsultohej me mua për një proces gjyqësor që zhvillohej në Prishtinë, pas publikimit nga “Bota Sot” të një fotografie të Baton Haxhiut, ku ai shihej duke bërë simbolin famëkeq të tre gishtërinjve serbë. Për publikimin e asaj fotografie, “Bota Sot” u gjobit me 10 mijë euro nga drejtësia në Prishtinë, në një kohë kur ajo ishte nën mbikëqyrjen e UNMIK-ut.
Për mua ishte e pakuptueshme dhe absurde që një media të dënohej pse kishte publikuar diçka reale, një fotografi që dëshmonte një veprim publik. Kur përfundoi rasti dhe u mor vendimi, e pyeta zonjën Nekibe Kelmendi se si ishte e mundur të gjobiteshim për diçka që kishte qenë e vërtetë dhe publike.
Ajo, me qetësinë dhe qartësinë që e karakterizonte, më tha: “S’ka këtu të bëjë me drejtësi, kështu ka vendosur sigurimi serb, që ju të gjobiteni.” Kjo fjali më ka mbetur gjatë në kujtesë. Ishte një përgjigje e drejtpërdrejtë, e dhimbshme, por edhe shumë e qartë për rrethanat nëpër të cilat po kalonte Kosova dhe drejtësia e saj në atë kohë.
Nekibe Kelmendi e kuptonte më mirë se shumëkush se drejtësia nuk është vetëm çështje ligjesh, por edhe çështje guximi, morali dhe lirie nga ndikimet e errëta. Prandaj ajo nuk u dorëzua kurrë përballë presioneve, sidomos kur duhej mbrojtur interesi i Kosovës. Sot, kur e kujtojmë Nekibe Kelmendin, nuk kujtojmë vetëm një emër të madh të drejtësisë dhe politikës së Kosovës.
Kujtojmë një grua që e mbajti drejt shtyllën kurrizore të dinjitetit njerëzor edhe në kohët më të vështira. I paharruar qoftë kujtimi për Nekibe Kelmendin!