Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, ka realizuar sot bastisje në tri lokacione të ndryshme. Gjatë këtij aksioni janë arrestuar tre persona të dyshuar me inicialet G.Th., E.G. dhe Sh.Sh.
Sipas njoftimit zyrtar, aksioni është ndërmarrë me qëllim të kontrollit të personave të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Në kuadër të hetimeve janë zbatuar masa të veçanta hetimore, përmes të cilave janë siguruar prova materiale, përfshirë komunikime në rrjetet sociale, kontakte ndërmjet të dyshuarve, si dhe dokumente të falsifikuara të shteteve të ndryshme.
Sipas të dhënave të deritanishme, të arrestuarit dyshohet se kanë falsifikuar dokumente të ndryshme identifikimi, përfshirë letërnjoftime, patentë shoferi dhe pasaporta të disa shteteve evropiane. Këto dokumente dyshohet se u siguroheshin personave që kërkoheshin me fletarrest ndërkombëtar dhe që synonin t’i përdornin për veprimtari të kundërligjshme.
Për sigurimin e dokumenteve të falsifikuara, dyshohet se bëheshin pagesa në vlerë deri në 15 mijë euro. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
