Shpërndaje në: Pas “goditjes” në “Sundance Film Festival” me premierë botërore e me çmim, “Shame and Money” me skenar e regji të Visar Morinës, destinacion të radhës ka Festivalin e Filmit në Karlovy Vary. Garon midis filmave që kanë “rrëmbyer” trofetë më të njohur të botës së filmit, përfshirë edhe “Oscar”.
“’Horizons’ – një prej kategorive më të njohura të festivalit – sjell 55 filma të rinj nga sezoni aktual i festivaleve. Filmat nga edicioni i fundit i Festivalit të Cannes do të jenë të përfaqësuar fuqishëm dhe publiku i Karlovy Varyt do të ketë mundësinë të shohë, për shembull, dramën emocionuese ‘Fjord’, fituese e ‘Palmës së Artë’, nën regji të Cristian Mungiu; veprat më të fundit të regjisorëve fitues të ‘Oscarit’”, ka shkruar ky festival i cili sivjet shënon edicionin e 60-të Fillimi i mbarë që me premierë botërore e çmim në “Sundance Film Festival” ka qenë një lloj shenje që filmit me skenar dhe regji të Visar Morinës ia paracaktoi rrugëtimin nëpër festivale prestigjioze.
I radhës për “Shame and Money” është Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Karlovy Vary. Festivali në qytetin çek njihet si njëra prej ngjarjeve me peshë në Evropë e aty, filmi që mban vulën e Kosovës është në garën zyrtare. I shkurtër ka qenë lajmi për suksesin e radhës të kësaj vepre filmike.
“’Shame and Money’ në garën zyrtare të Festivalit të Filmit në Karlovy Vary”, ka shkruar Qendra Kinematografike e Kosovës tek e ka shoqëruar lajmin me posterin dhe logon e festivalit i cili mbahet prej 3 deri më 11 korrik. Sivjet shënon edicionin jubilar, të 60-tin. Sipas ueb-faqes së festivalit, “Shame…” garon në kategorinë “Horizons”.
“’Horizons’ – një prej kategorive më të njohura të festivalit – sjell 55 filma të rinj nga sezoni aktual i festivaleve. Filmat nga edicioni i fundit i Festivalit të Cannes do të jenë të përfaqësuar fuqishëm dhe publiku i Karlovy Varyt do të ketë mundësinë të shohë, për shembull, dramën emocionuese ‘Fjord’, fituese e ‘Palmës së Artë’, nën regji të Cristian Mungiut; veprat më të fundit të regjisorëve fitues të ‘Oscarit’, ‘Fatherland’ nga Pawel Pawlikowski dhe ‘All of a Sudden’ nga Ryûsuke Hamaguchi; fituesin e seksionit prestigjioz ‘Un Certain Regard’, “Everytime”; si dhe filma autorialë të veçantë nga Nepali, Rwanda dhe Costa Rica.
Nga Festivali i Filmit në Berlin, publiku mund të presë me padurim ‘Yellow Letters’, fitues të ‘Ariut të Artë’, si dhe një biografi melankolike për pianistin legjendar të jazzit Bill Evans. Edhe filmat nga Festivali i Filmit në Venecie dhe Sundance Film Festival, i cili këtë vit u mbajt për herë të fundit në Park City, do të ruajnë praninë e tyre tradicionale”, shkrua festivali.
Thekson edhe veprat e regjisorëve që rikthehen në festival. E aty është edhe Visar Morina. “Një numër regjisorësh që rikthehen’ – veprat e mëparshme të të cilëve janë shfaqur premierë në një nga seksionet konkurruese të festivalit të Karlovy Varyt – do të prezantojnë gjithashtu filmat e tyre më të rinj si Cyril Aris që do të sjellë ‘A Sad and Beautiful World’, Visar Morina me ‘Shame and Money’, ndërsa Andreus Blaževičius sjell ‘How to Divorce during the War’”, shkruhet në ueb faqe.
“Shame…” do të ketë tri shfaqje. Emri i Visar Morinës është i njohur në Karlovy Vary tash e më shumë se një dekadë. Më 2015, me “Babai” mori edhe çmimin për regjinë më të mirë. Sikurse në atë film, edhe në “Shame” rolin kryesor ia ka besuar Astrit Kabashit, loja e të cilit ishte vlerësuar lartë qysh me premierën botërore në janarin e sivjetmë në Sundance Film Festival.
Aty triumfoi duke marrë Çmimin e Madh të Jurisë, e me këtë u rikonfirmua suksesi i kinematografisë së Kosovës në ngjarjen madhore të filmit. Bashkëprodhimi me Gjermaninë, Slloveninë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Belgjikën, ishte çmuar për fuqinë e rrëfimin dhe regjinë mjeshtërore.
Regjisori Morina, i cili skenarin e ka shkruar bashkë me Doruntina Bashën, kishte qenë i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, në Utah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Triumfi në mesin e dhjetë filmave në kategorinë “World Cinema Dramatic Competition” të festivalit, i cili sivjet rrumbullakoi edicionin e 42-të, ishte rinjohje e filmit të Kosovës, i cili nuk është i panjohur për të. As emri i Visar Morinës.
“Shame and Money” shpalos historinë e një familjeje kosovare e detyruar të shpërngulet nga fshati në kryeqytet, në kërkim të një vendi në shoqërinë kapitaliste. “Për portretizimin e tij të fuqishëm dhe unik të dinjitetit njerëzor, në Kosovën bashkëkohore, që gjen jehonë universale. Një regjisor i ndjeshëm që e tërheq me mjeshtëri audiencën në vështirësitë e përditshme të një familjeje.
Për empatinë e tij të thellë për personazhet, në një moment vendimtar në të cilin ata po fillojnë jetën nga e para, ‘Çmimi i Madh i Jurisë’ shkon për filmin ‘Shame and Money’”, kishte qenë vlerësimi i Jurisë. Aktori Astrit Kabashi në “Shame…” është Shabani, kryefamiljari tradicional e krenar, i cili duhet të përdorë kursimet e nënës së tij për të mbajtur familjen në këmbë.
Në shpjegimin e tematikës shkruhet se krenaria e tij hijezohet vazhdimisht dhe se dinjiteti i tij rrëshqet. “…Shabani i afrohet një skaji të padukshëm – duke shtruar pyetjen se më shumë mund të durojë”, shkruhet për filmin 130-minutësh. Visar Morina me “Shame…” ishte rikthyer në Sundance. Në vitin 2020 ishte në garë zyrtare me filmin “Exil”.
Edhe në kastën e këtij filmi janë Astrit Kabashi e Flonja Kodheli e cila luan gruan e Shabanit, Hatixhenë. Pos aktorëve Kumrije Hoxha e Fiona Gllavica, në një prej roleve qendrore është edhe Alban Ukaj.
Në rolet e tjera luajnë: Aria Shala, Riga Morina, Melika Gashi, Selman Lokaj, Teuta Hajdini, Abdinaser Beka, Rebeka Qena, Tristan Halilaj, Basri Lushtaku, Rafet Abazi, Eshref Durmishi e Besnik Krapi. Producentë janë: Fabian Altenried, Sophie Ahrens, Kristof Gerega dhe Pia Hellenthal.
Bashkëproducentë të filmit janë: Eshref Durmishi, Besnik Krapi, Danijel Hoçevar, Dritan Huqi, Marija Dimitrova dhe Marc Goyens.
