Pas 54 ditësh në protesta të përditshme, qindra protestues dhe punonjës të policisë u përplasën të enjten përpara parlamentit, duke shkaktuar disa të lënduar dhe të shoqëruar nëpër komisariate. Forcat e rendit përdorën spraj me piper dhe ujë me presion, ndërsa qytetarët u kundërpërgjigjën duke sulmuar me vezë e domate.
Qindra protestues u përplasën me policinë mëngjesin e së enjtes në barrikadat metalike me të cilat ishte rrethuar Parlamenti, për të penguar protestuesit që t’u afroheshin rrugëve ku kalonin makinat e deputetëve. Përplasja filloi kur Policia tentoi të shtynte me disa metra barrikadën dhe të ndalonte portestuesit të qëllonin me vezë dhe domate makinat e deputetëve.
Kur tentativa për t’i larguar protestuesit dështoi, policia përdori spraj me piper dhe ujë me presion për të shpërndarë protestën. Protestuesit u kundërpërgjigjën duke goditur me vezë dhe domate ndaj policisë dhe ndaj makinave të deputetëve që hynë në parlament për seancën plenare. Kjo e ktheu zonën ku po zhvillohet protesta në një shesh të mbuluar nga vezët dhe domate.
Të paktën një punonjës policie dhe një protestues u lënduan për shkak se gjatë përplasjes u përdorën gurë. Dhjetëra protestues ndërkohë patën probleme për shkak të përdorimit të lëndëve kimike në ujë dhe disa prej tyre patën nevojë për trajtim mjekësor në urgjencë.
Protesta përpara parlamentit është pjesë e lëvizjes së njohur si “Revolucioni i Flamingove”, e cila u thirr për shkak se deputetët u mblodhën në seancën e fundit të sesionit. Protesta antiqeveritare, e cila kërkon gjithashtu ndryshimin e kastës politike që ka dominuar tranzicionin në Shqipëri vazhdon prej 54 ditësh, por asnjëra prej kërkesave nuk është marrë parasysh nga qeveria.
Pas përplasjes së mëngjesit, protestuesit nuk u shpërndanë por u vendosën në disa prej rrugëve prej nga pritet të dalin apo hyjnë deputetët. Ndërkohë, një grup i vogël i vendosur përbri qendrës tregtare “Toptani” u përplas edhe disa herë të tjera me policinë dhe përdori vezë, shishe uji dhe domate kundër makinave dhe punonjësve me skafandra që bllokojnë rrugën.
Protestuesit hodhën të njëjtat parulla, ata thirrën për dorëheqjen e kryeministrit dhe akuzuan policinë se po i shërbente krimit. “O bobo ça na ka gjet, parlament analfabet”, ishte një prej koreve, shoqëruar me “Parlament i krimit” apo “Rama në burg e Berisha në burg”.
Gjatë kohëzgjatjes së protestës, e cila nisi rreth orës 8 të mëngjesit dhe vijon ende edhe pas orës të mesditës, disa prej protestuesve që u gjetën nga policia të veçuar nga grupi kryesorë u shoqëruan me forcë për në komisariate. Bashkëshortja e një prej të shoqëruarve i tha BIRN se ai u ndalua pasi kishte shtyrë një kazan mbeturinash.
“Ne kemi dalë për të protestuar se kemi hallet tona, kemi 6 fëmijë”, tha gruaja, pasi i shoqi u mor me forcë nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë në kryqëzimin pranë Xhamisë së Namazgjasë. Policia nuk ka shpërndarë ende një deklaratë për numrin e protestuesve të shoqëruar.
Përfaqësues të Partisë Socialiste në parlament i akuzuan protestuesit për terrorizëm, ndërsa opozita bëri thirrje që policia të ndalonte dhunën ndaj protestuesve./ Reporter.al Një protestues i plagosur duke u transportuar në spital. Foto: LSA. Një kordon policie duke ndaluar protestuesit që t’i afrohen parlamentit. Foto: LSA. Një protestues shpërndan lule ndaj punonjësve të policisë.
Foto: LSA.
