Sa shpesh duhet të lahen çarçafët është një temë që shpesh ngjall diskutime. Disa i lajnë një herë në javë, ndërsa të tjerë zgjedhin t’i ndërrojnë pas një periudhe më të gjatë. Megjithatë, gjatë verës, kur temperaturat janë më të larta, ekspertët rekomandojnë që çarçafët të lahen më shpesh dhe në një temperaturë të caktuar.
Judith Ackers, specialiste e shtretërve në Land of Beds, tha: “Gjatë verës, ndoshta duhet ta lani shtratin më shpesh sesa po e bëni tani. Kur moti ngrohet, ne rekomandojmë që çarçafët të lahen të paktën një herë në javë. Nëse djersitni shumë gjatë natës ose vuani nga alergjitë, larja dy herë në javë mund të bëjë një ndryshim të madh.
Netët e nxehta sjellin më shumë djersë, yndyrë natyrale të lëkurës dhe qeliza të vdekura që grumbullohen në çarçafë, duke krijuar një mjedis ideal për marimangat e pluhurit dhe bakteret”. Gjatë dimrit, çarçafët qëndrojnë të pastër për më gjatë, pasi njerëzit zakonisht djersijnë më pak, duke bërë që ato të ndoten dhe njollosen më ngadalë.
Ndërsa në verë, njerëzit veshin rroba më të lehta, gjë që bën që djersa dhe yndyrat e trupit të përthithen drejtpërdrejt nga çarçafët. Ekspertja shtoi: “Çarçafët që përdorni gjatë verës punojnë më shumë se zakonisht dhe kanë nevojë për pak më shumë kujdes që të mbeten të freskët.
Larja e tyre në 30°C mund t’i bëjë të duken të pastër, por nuk largon plotësisht djersën dhe yndyrat e grumbulluara. “Ne rekomandojmë larjen në 40°C. Nëse materiali i çarçafëve e lejon, herë pas here lajini në 60°C për të eliminuar bakteret dhe marimangat e pluhurit. Gjithmonë kontrolloni etiketën e produktit përpara larjes, në mënyrë që të mos dëmtoni materialin”.
Edhe pse disa detergjentë janë efektivë edhe në temperatura më të ulëta, madje edhe në 20°C, kjo nuk rekomandohet për artikuj si çarçafët dhe peshqirët. Nëse moti e lejon, tharja në ajër të hapur ka gjithashtu përfitime.
Rrezet ultravjollcë (UV) të diellit ndihmojnë në shkatërrimin e mikrobeve të mbetura, ndërsa kjo metodë është edhe më miqësore me mjedisin sesa përdorimi i tharëses elektrike. Megjithatë, nëse vuani nga alergjitë ose ethet e barit (hay fever), rekomandohet që çarçafët t’i thani brenda shtëpisë ose në tharëse, për të shmangur kontaktin me polenin dhe irritues të tjerë.
Judith Ackers theksoi gjithashtu një gabim të zakonshëm që bëjnë shumë njerëz: “Një nga gabimet më të shpeshta gjatë larjes së çarçafëve është mbingarkimi i lavatriçes. Nëse makina është tepër e mbushur, çarçafët nuk lahen dhe nuk shpëlahen siç duhet, madje mund të mbeten edhe mbetje detergjenti mbi to.
Lërini hapësirë të mjaftueshme gjatë larjes dhe çdo herë do të dalin më të pastër e më të freskët.” Edhe gjatë larjes së peshqirëve është e rëndësishme të përdoret ujë i nxehtë, pasi ndihmon në eliminimin e mikrobeve dhe siguron një pastrim më të thellë.
Disa ekspertë madje rekomandojnë të hiqni dorë nga zbutësi i rrobave dhe ta zëvendësoni atë me uthull të bardhë, e cila ndihmon në largimin e mbetjeve të sapunit dhe i mban pëlhurat më të pastra.
