Forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të sundimit të ligjit ishte në qendër të takimit të parë zyrtar mes Kryeprokurorit të ri të Shtetit, Zejnulla Gashi, dhe drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti. Gashi dhe Ajeti, riafirmuan gatishmërinë për të thelluar koordinimin profesional, në përputhje me kompetencat që u përcakton ligji.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Shtetit, drejtori i AKI-së e uroi Gashin për marrjen e detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, duke i dëshiruar suksese në ushtrimin e mandatit të tij. Gjatë takimit, bashkëbiseduesit diskutuan për bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve dhe theksuan rëndësinë e koordinimit profesional në përmbushjen e përgjegjësive ligjore.
Në njoftim thuhet se të dy udhëheqësit konfirmuan përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe profesional, në përputhje me kompetencat ligjore, me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit në Kosovë.
Takimi u zhvillua në kuadër të angazhimeve të Kryeprokurorit të Shtetit pas marrjes së detyrës, ndërsa Prokuroria e Shtetit nuk ka bërë të ditur detaje të tjera lidhur me temat e trajtuara.
