Mirdita e ka fituar betejën me hartën, por ende jo atë për të qenë

0%

Një listë me disa emra bashkishë aktuale, rreth katërmbëdhjetë të tilla, e hedhur në qarkullim nga mazhoranca rilindase në komisionin e reformës administrative, ku krahas disa të tjerave ishte edhe emri Mirditë, u hodh si “gjellë e prishur” këto ditë të trazuara verore, jo vetëm nga vapa e tejzgjatur, dhe të përzierat, simptoma të një gjendje helmimi shoqërorë edhe të padukshme, mbuluan mediat audio – vizive, shtypin e printuar e atë online, mediat sociale e bisedat mes njerëzve, në rrugë, në klube dhe nën avujt e alkolit, por edhe në dasma e kudo.

Jo se çështja është e parëndësishme, por hedhja e saj në tregun mediatik, nisur nga çasti i përzgjedhur e nga forma e realizimit, nuk kishte as nuk ka për qëllim të sjellë asgjë të mirë. Qëllimit real që ajo ka, ia ka arritur menjëherë, vetëm se në anën e kundërt të interesit të Mirditës e mirditorëve.

Nga efekti i saj, si rrallë herë dukshëm (se nën rrogoz gjithnjë e gjejnë interesin tek njëri – tjetri), shfaqen bashkë edhe pse thellësisht të ndarë, pozita dhe opozita! S’është e para herë që ndodh kjo, ndonëse asnjëherë në të mirën e të qeverisurve e gjithnjë në të mirën e qeveritarëve dhe opozitarëve – qeverisës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Qeveria, si gjithnjë ishte një hap përpara, në vend që të ndodhte e anasjellta, dmth opozita apo e ardhmja, t’i paraprinte debatit. Le të shpjegohem, jo domosdoshmërisht në idenë e secilës palë, por së paku në funksion të këtyre rreshtave.

Opozitarët, me këtë që u hodhi qeveria (mazhoranca) vepruan si zogjoria e ujqërve (për ata që nuk e dinë, u them se ujqërit jetojnë në familje e kjo quhet në të folmen mirditore (së paku!), zogjori. Ujku s’është agresiv ndaj njeriut, por kur është i uritur dhe në tufë, apo zogjori, bëhet i tillë.

Të vjetrit këshillonin, që nëse gjendesh në një gjendje agresioni prej tyre, ngjitu në pemën më të afërt, gjakos një gisht me ç’të mundesh dhe një pikë gjaku lëshoja njërit nga ujqërit që do të kenë rrethuar atë pemë. Nga ky çast ke shpëtuar, sepse ata i vërsulen ujkut që i ka rënë pika e gjakut dhe e coptojnë atë, e ti mund të vazhdosh udhën “i qetë” prej tyre.

Kjo “lojë” ngjet edhe në rastin e turmës së qenve, të cilët të qënit në turmë i egërson edhe në qofshin zagarë, të rrezikojnë seriozisht integritetin fizik dhe jetën. Por nëse ke një copë bukë, apo qoftë edhe një kockë e ua hedh atyre, ata të harrojne ty e merren me kockën. Edhe në këtë rast po ndodh pikërisht kështu.

Me hedhjen në treg të kësaj harte, opozitarët harruan problemin e vërtetë, dhe iu sulën “lajmit”, pa e kuptuar atë, a më mirë të themi pa e vrarë mendjen për t’a kuptue atë. Me mijëra thirrje pseudopatriotike shpërthyen në rrjet.

Folën për histori edhe kush s’ka lexuar një rresht, folën për trimëri edhe kush s’e di ka bie me shtëpi ajo, folën për Mirditë etnike edhe kush nuk është në gjendje t’a njohë krijimin e saj si bashkim luftarak e besëlidhje në besim. E… loja vazhdon.

Krahu tjetër i ballancës së prishur dukshëm, e për t’a rivendosur “ekulibrin zhvatës”, pushtetarët në pushtet dhe në opozitë, ata që e kanë njohur Mirditën si nëpër tym, ose thjesht kanë kryer ndonjë funksion atje si të emëruar (ndoshta edhe thjesht si policë!), nxorën menjëherë shpatën në mbrojtje të saj.

E bënë këtë edhe të zgjedhurit lokalë e qendrorë, kuadro të emëruar në pozita të larta e plot të tjerë si këta. Është një situatë e tillë e cila për pak ditë, ngjau si arenë lufte, ku “copy – paste”, të gjithë iu vërsulën imazhit të asaj cope letre, apo kockës “Mazniku”. Po me kë luftojnë? Sigurisht me mullinjtë e erës! Çfarë do të fitojnë?

Privilegje, vota dhe besnikëri mirditase, përballë tradhëtisë së tyre të përjetshme. Fitorja e të dy palëve për këtë kërkesë minimaliste është e sigurtë, por fitorja e tyre ngjet si ajo e Pirros… Pse? Lista në fjalë shpaloste një realitet të dhimbshëm për Mirditën, ndoshta edhe pa dashje, por askujt e asnjëherë nuk mund t’i shkonte mendja për zhdukjen e saj nga harta.

Cili ishte realiteti që shpaloste, si me padashje kjo listë? Mirdita është lënë në harresë nga pushteti historikisht, ndoshta edhe më përpara Enverit. Pushtetarëve iu është dashur besnikëria e trimëria e Mirditës e mirditorëve, por jo edhe zhvillimi e përparimi i saj. E lista në fjalë e dokumentonte hapur këtë, duke e paraqitur Mirditën pa resurse ekonomike mbijetese.

Ja, kjo do të duhej të ishte beteja e vërtetë dhe heroizmi i çdo mirditori në pushtet apo që synon pushtetin në të ardhmen e afërt: hapja e një diskutimi tejetpartiak se si është e mundur që një rreth (Mirdita zyrtare, Mirdita e Vogël apo ajo administrative), që ka resurse natyrore të mëdha, resurse njerëzore të kualifikuara, që dikur (referuar vitit 1990) i jepte vendit rreth 3% të prodhimit të përgjithshëm industrial, ose më shumë se rrethet Gramsh (0,3), Kolonjë (0,3), Lezhë (0,9), Pukë (0,8) e Përmet (0,6) të marra së bashku (vjetari statistikorë i vitit 1991 – burimi Lin Kiku facebook, datë 20 / 07 / 2026), një rreth e një zonë etnike që ka nxjerrë ministra, deputetë, kuadro të çdo fushe e deri kryetar kuvendi, Mirdita që bën krenar shumëkënd të jetë, në mos mirditas, edhe nip e mik atje, gjendet sot thuajse e asfiksuar ekonomikisht, ndërkohë që mineralet e saj, ujërat e mbi të gjitha bijtë e saj kontribuojnë në pasurimin e të tjerëve, shqiptarë e joshqiptar, të cilët i shfrytëzojnë barbarisht ato.

Bashkia e Mirditës, ashtu si është lënë, pa asnjë kompetencë mbi pasuritë e saj teritoriale, pa asnjë kompensim për shfrytëzimin e tyre, dje edhe sot, nga të tjerët, është “e shkrirë” e nuk ka nevojë për një vendim parlamenti.

Këtu duhet t’a tregojë veten kush mundet, sidomos pushtetarët e të afërmit me pushtetin, e s’ka nevojë me u “heroizue” për qëndresë që t’u këndohet kënga me motivin, “nuk lejojmë zhdukjen e Mirditës” nga harta e Shqipërisë. Administrativisht askush aktualisht nuk e synon këtë, sepse ekzistencën në hartë, bile me krenari të ligjshme, asaj ia ka siguruar historia e lavdishme.

Mirditorët si njerëz janë gjodhi e kanë mbijetuar aty ku janë në trojet e tyre të përjetshme duke “e shkirë gurin”, për mijëra vjet. Pesqind vjet turku s’mundi, as t’i zhdukë nga harta, as t’ua heq krenarinë e tyre identitare, betimin në qiell e dhé, e besimin në Krishtin Zot.

Edhe ajo perandori e stërmadhe e kohës, sa herë kaloi nëpër Mirditë, iu desh t’u marrë leje burrave të vendit, që i dolën zot asaj me mend, pushkë e penë, kapidanëve mirditorë e prelatëve fetarë të njohur nga historia. Mirditën nuk e zhduku nga harta e lavdisë shqiptare as serbi, i cili u detyrua të kalonte aty i çarmatosur për nën armët e kryqëzuara të mirditorëve.

Ekzistencën e saj e njohu Berlini e Viena, edhe atëherë kur ende s’njihej harta e Shqipërisë. Mirditorët, si askush tjetër ndër shqiptarë, i rezistuan nënshtrimit ndaj Enverit e enverizmit edhe rreth 10 vite pas të tjerëve, e nuk iu dhanë kurrë atij sistemi ku kanë qënë të detyruar të jetojnë rreth pesëdhjetë vite.

Ai sistem i ndau mirditorët si zogjtë në 5 rrethe: Mat, Dibër, Pukë, Kukës e Lezhë, por edhe ashtu nuk mundi t’a zhdukë Mirditën nga harta e Shqipërisë, megjithëse e etiketoi e u mundua t’a identifikojë atë me Spaçin e Qafë Barin, simbolet më të shemtuara të komunizmit, megjithëse i varfëroi shumë, pavarësisht se prej andej nxirrej e merrej floriri dhe bakri.

Djemtë më të rracës mirditore i përplasi nëpër burgje, e përdori çdo mënyrë që mirditorët të “hanë” njëri – tjetrin, e prap nuk ia arriti. Kudo që jetojnë, mirditorët e thonë me kreni: Jemi mirditas!, pavarësisht se ç’emër ka vendi ku janë në trojet e tyre.

Në vitet e nëntëdhjeta mirditorët e përkrahën ndër të parët ndryshimin, votuan masivisht forcën që i parapriu ndryshimit të kohës, por morën si dhuratë vetëm detyra për t’i shërbyer asaj dhe vetëm si “roje e mbretit”, shkak për të cilin gati sa nuk rrëshqitën edhe në vëllavrasje në trazirat e mbrapshta të vitit ‘97, nisur nga besnikëria e tyre ekstreme.

Mirëpo as atëherë, si edhe më përpara, nuk morën zhvillimin që u takonte dhe iu takon. Rruga e Kombit që kalon nëpër Mirditë, jo vetëm mbeti gjysmake (segmenti Milot – Rrëshen çdo ditë që kalon po merr emrin “udha e vdekjes”), por as udhët paralele e ato të fshatrave nuk meritojnë të quhen të tilla. Udha e Lurës, po ashtu.

Ndoshta po bëhet pas shumë peripecishë, por mangut e pa lidhje me zhvillimin e fshatrave përreth saj. As dje, as sot Mirdita s’është parë si pjesë e “hartës” së Shqipërisë, për të marrë prej shtetit atë çfarë i takon, por pavarësisht dëshirave të fshehura askush e askurrë nuk e ka vendosur në rend të ditës zyrtarisht zhdukjen e saj nga harta.

Ndaj, kursejini energjitë, ju heronjtë prej kashte dhe nëse ju dhimbset Mirdita (ajo s’pranon mëshirë!), jepini asaj atë që i takon!

Burimi: Bota Sot