Një vizitë në arë i kushtoi 235 euro një qytetari nga Zveçani, pasi persona ende të paidentifikuar i vodhën telefonin nga vetura që e kishte lënë të hapur, raporton Sinjali. Sinjali mëson se ankues është M. A. (66 vjeç). Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja kishte ndodhur më 8 korrik, në fshatin Korile të Zveçanit.
Ankuesi kishte shkuar për të punuar në arë, ndërsa telefonin e tij Samsung e kishte lënë brenda automjetit, të cilin e kishte lënë të hapur. Kur është kthyer, ai ka vërejtur se telefoni mungonte. Vlera e tij është vlerësuar rreth 235 euro. Rasti është raportuar në Polici më 22 korrik, ndërsa në konsultim me Prokurorin kujdestar është iniciuar si “Vjedhje”.
Autorët mbeten ende të paidentifikuar, ndërsa Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rastit. Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
