Shoferët gjetën mënyrë për të mashtruar sistemin e sigurisë të Teslas

0%

Shoferët në Kinë kanë gjetur një mënyrë të pazakontë për të anashkaluar kontrollin e sigurisë në automjetet Tesla. Ata shpenzojnë rreth 20 euro për të blerë koka plastike të personazheve të famshëm, të cilat më pas i vendosin në vende kyçe brenda automjetit.

Në këtë mënyrë, sistemi beson se shoferi po e vëzhgon me kujdes rrugën, ndërsa në realitet ai mund të jetë duke përdorur telefonin apo madje edhe duke dremitur. Për pasojë, sistemi nuk dërgon paralajmërime dhe vazhdon drejtimin e automatizuar të automjetit me funksionin Tesla Full Self Driving.

Kokat miniaturë të figurave të njohura, përfshirë aktorin dhe ish-mundësin Dwayne Johnson, shiten në dyqanet online kineze. Figurina vendoset përpara kamerës së brendshme të Tesla-s, duke mashtruar sistemin. Tesla përdor këtë kamerë për të kontrolluar nëse shoferi po i kushton vëmendje trafikut.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Nëse shoferi e largon shikimin për një kohë të gjatë, sistemi lëshon paralajmërime dhe mund të çaktivizojë funksionet e asistencës gjatë drejtimit. Sipas revistës Wired, një pronar i një automjeti Tesla Model 3 arriti të përshkojë qindra kilometra duke përdorur një fytyrë plastike, pa asnjë ndërhyrje nga sistemi.

Në videon që ai publikoi, shihej duke ngrënë dhe filmuar njëkohësisht, ndërsa kamera regjistronte vetëm kokën plastike. Kokat plastike nuk janë metoda e vetme. Shitësit kinezë ofrojnë edhe fotografi fytyrash, imazhe speciale që imitojnë mbylljen dhe hapjen e syve, madje edhe ekrane të vegjël që shfaqin vazhdimisht video të një personi për të mashtruar sistemin e monitorimit.

Ekspertët e sigurisë rrugore e konsiderojnë këtë fenomen shumë shqetësues. Sistemet e Tesla-s nuk janë plotësisht autonome, prandaj monitorimi i vëmendjes së shoferit është thelbësor për sigurinë. Megjithatë, në këtë rast, kreativiteti – dhe papërgjegjshmëria – e disa përdoruesve duket se ka arritur të mposhtë mekanizmat e sigurisë të projektuar për të parandaluar situata të tilla.

Burimi: Telegrafi