Vërtet, ju shumë fshehtësi nuk i dini në këtë kryevepër artistike. E vrisni kokën, i shtrydhni trutë. E rrotulloni memorien. Po të kishit mundësi të më kishit më afër mbi kokë edhe do të më pyesnit, ja ta zëmë për Torbën e Hoxhës. E dini se, çka ka pasur ajo brenda? Jo. E di vetëm Xhadia*, e cila edhe është autorja e saj dhe shumë-shumë nja njëzet veta që kanë qenë në prova.
Të tjerët ama nuk dinë asgjë për Torbën e Hoxhës se me çka ishte e mbushur atë natë. Ia hapnin grykën në mes të skenës, i nxirrnin një nga një kryengritësit. E të nsërmen, kur salla u mbush plot me patriotë artdashës e zonja të rënda të salloneve, më kot e prisnin Torbën e Hoxhës në skenë. Megjithatë, përsëri u kënaqën zonjat së qeshuri duke prekur njëra-tjetrën me bërryla.
Herë pas here edhe qeshnin me zë, u duartrokisnin me art e kulturë dhe lotë. Vetëm se, gjatë gjithë premierës më dukej se u mungonte diçka simbolike, dihet Torba e Hoxhës. S’di pse ashtu kot mendoja se komedia artistike atë natë vetëm aty e arrinte kulminacionin, do të tundej salla nga duartrokitjet.
Ndodhë, ndonjëra edhe të bënte vetëvrasje, ose të ngjitej në skenë dhe t’ia rrëmbente torbën Xhadisë nga duart. Çka s’mund të ndodhte gjatë asaj premiere. Prandaj, edhe e pritja në çdo moment shthurjen e komedisë. E ajo erdhi si e porositur nga mesi i sallës: -Nxirreni Torbën e Hoxhës! Torbën e Hoxhës e duam në skenë!… Publiku për disa çaste heshti.
Unë qesha me sa zë që kisha dhe u rash duarve shuplakë. E dini se, qe akt i përkryer. Torba e Hoxhës ishte kulminacioni i komedisë patriotike. Zonjave putane dhe zotërinjve s’kam çka t’u them, vetëm ato e kuptojnë artin e lartë të salloneve…
Gjashtë muaj me radhë flitej tryezë më tryezë në “Pazarin e Grave”, se: Xhadia nga Majat e shqipeve këto ditë do të ekspononte një eksponat të veshjes kombëtare, “vëllazërim-bashkimit”. Merreni me mend se, në ç’hall ka qenë “Pazari i Grave”, e të mos flasim për nuset me pashterka të kuqe dhe kalimtarët e rastit, që kthenin për një palë çorapë ose shami.
E kishin tjerrë e zgjatur këtë risi, saqë shumica mezi prisnin t’i shohin me sy gjithë ato breza e gajtana. E të mos e teprojmë më për këmishën kuqezi, apo kësulën e bardhë. Vetë autorja e kësaj vepre kombëtare në disa biseda të rastit patë thënë: se, do të shihni sesi endet arti plot dy sahat në sallë. Megjithatë, e kam vështirë me ju, se nuk jeni mësuar me kryevepra botërore.
Vetëm ç’faj kam unë që më keni rënë hise dhe duhet t’ua mësoj shkronjat e artit hyjnor të “vëllazërim – bashkimit”. Tekefundit, tha: edhe ju zotërinj është koha që të ballafaqoheni me gjenitë femra. Burrneshat ia shkrepin artit, qoftë edhe dy sahat këtu në mes të “Bit-Pazarit”.
Vërtet nuk e besoj të merreshin me diç tjetër banorët e “Pazarit Grave” më shumë se me kryeveprën që do ta linte në tryezë Xhadia. Ndonjëri edhe e tepronte, shkonte aq larg saqë thoshte se ju jeni të krisur, atë duhet mbajtur ja kështu, në duar. Apo t’i rrokni çiftelitë dhe t’i këndoni këngë patriotike. Kuptohet, nga një inspirim i këtillë, vërtet unë i kushtova një elegji me çifteli.
E tjetër është ajo se, a mbeti e kënaqur apo kërkonte diç edhe më të madhe, ta zëmë ndonjë himn ose baladë. Ndoshta mu kjo edhe e zemroi, që atë ditë kur e nxori veprën e saj në tryezë karshi Diellit me rreze, mua me qëllim më la pa ftesë.
Në këtë “Pazar të Grave” kishin eksponuar edhe autorë të tjerë, por unë vetëm kësaj radhe duhej të hyja pas shpine për t’u ndeshur me patriotiken, të bukurën në errësirë. Më kot e luta Shitësen e biletave. Ajo më tha se, kishte urdhër të mos jepte asnjë biletë jashtë klaneve partiake që e dinin se ç’është arti hyjnor i aristokratëve.
Rendet e para ishin rezervuar për gratë dhe burrat e partive “demokratike” politike, patriotët e kulturofagët e dëgjuar anembanë “Bit-Pazarit”. – Zotëri, më thirri dikush pas shpine. E ktheva kokën. Ishte Vjollca Rrapi. Aty për aty e ngadalësova hapin. Vendosa ta pres, të përshëndetem me atë zonjë. Edhe pse dikush mund të mendonte ku ta di unë çka, ndonjë rrotullim në kashtë.
Punemadhe. – Hë, edhe ti nuk ke biletë? – Jo, më buzëqeshi ajo si në kornizë. – Eja pas meje! Matanë sallës, nga një derë e fshehtë nëpër korridor u ngjita shkallëve, dhe hyra në një derë tjetër të hapur krah më krah. Edhe ajo hyri pas meje. Më në fund pranë një reflektori ishte një karrige.
E afrova dhe i thashë: -Ulu, pushoi sytë! – E këmbët? – u tall ajo. – Këmbët dorëzoja errësirës! – Kam frikë, – përsëri më ngacmoi ajo… – Unë jam këtu… Shtrihu rehat, nuk të rrezikon Nëna Parti! Vetëm tashti, pasi kisha hyrë brenda e pashë se gjëndesha në një verandë, në mesin e bërllokut.
Nga i shikoja si në pasqyrë të gjithë ulur nëpër rende: Intelektuali i Rrejshëm, Zonja Kuqezi, Komunisti i Arratisur, Tellallja e Nënës Parti, Koordinatori Liberator, Yllkuqi i Shkupit, Shkrimtari i Madh, Gazetari i Oborrit e dhjetra të tjerë nga Klubi i Tullumbave. Në një rend e pashë edhe Gungaçin, Dr. Madhin, Ebu Xhehlin… Diku, nga mesi sytë ma zunë edhe Rrospinë Mashkull.
E përcillte me vëmendje ngjarjen, lëvizjet në skenë, burgun famëkeq, flamurin kombëtar që e kishin bërë edhe leckë edhe setre. E pranoj se atë natë e ndjeva veten të lumtur, që nuk gjendesha në mesin e tyre, po mbi ta në një verandë. Ju do të thoni se kam qenë në errësirë. Po. Gjatë gjithë kohës kam qëndruar më këmbë, se jam mbështetur pas Zonjës së Sallonit të librave. E dini çka?
Nuk ma ndien. Ama hiç nuk e vras kokën. Mund t’ju them vetëm një gjë, atë natë ju kam parë pisa e lakuriq. Aq të mjerë, aq të varfër, ashtu kokë më kokë, saqë dy-tri herë kam vjellë. Përpak desh i nxora jashtë edhe zorrët. Vetëm se, ju nuk më keni dëgjuar, keni qenë të zhytur në art, e keni përjetuar ngjarjen, ju ka dhimbur zemra…
Vetëm unë nga lart ua kam parë lotët, ua kam dëgjuar duartrokitjet frenetike, prandaj edhe e them pa asnjëfarë rezervë se, ju e kishit dashur dhe e doni popullin. Të tjerët na kishin mashtruar, na kishin treguar përralla për “vëllazërim-bashkimin”. Gjatë gjithë kohës, derisa nxënësit recitonin vjersha, mësuesi hante dajak e Xhuxhmaxhuxhi u binte trumbetave, unë isha në errësirë.
U mundova ta shoh nëpër terr Vjollca Rrapin, së paku t’ia shoh lotët nga mundimet dhe vuajtjet e të burgosurve politik, por më kot. Natë. E zgjata dorën. Vetëm për çudi, atë e kishte zënë gjumi. S’di pse m’u dhimbs aq tepër pse nuk qe shtrirë në shtrat apo në ndonjë livadh me lule. Ja, edhe pse më erdhi keq ta zgjoj nga gjumi.
E lashë të flinte, me siguri do të përfitonte më shumë sesa t’i zgurgullonte sytë në greminën artistike. Duartrokitjet përsëri jehuan nëpër errësirë. E zgjata kokën, e pashë Xhadinë që e kishte veshur si ferexhe flamurin kombëtar dhe vraponte nëpër skenë duke fshirë me të pluhurin e dërrasave. Dritat filluan të shuhen-ndizen në skenë edhe më shpesh saqë desh m’i qorruan sytë.
U ngrita më këmbë. – Zonjë, zgjohu! Përfundoi loja teatrore… – A doli drita, ë? – Po, e rroka për dore dhe dolëm në corridor. Turma zbriste shkallëve. Dikushi ulej nëpër tavolina. E, dy-tre kamarierë vendosnin edhe të tjera tavolina e karrige për mysafirë. Me këtë mendonin t’ia lidhnin disi kryet artit.
Vërtet kishin derdhur mund, djersë e lot të rrejshëm, tashti u mungonte vetëm muzika dhe vallja. Dorën në zemër, e kishin merituar si artistë në iterpretimin e roleve. E unë gjatë gjithë kohës mendoja si të dal te dera me një paketë plot faculeta dhe t’ua shpërndaj nga një që t’i fshijnë lotët e derdhur për Atdheun.
Pastaj, të ik sa më larg këtyre mureve, errësirës që më dukej se më turret përmbrapa. Xhadisë, që më ndiqte e ma bënte me dorë të ndalem mos ik, të ma lexojë një poezi erotike… Grua me të meta psiqike dhe lavire
